Milan do të bëjë debutimin sezonal në fushën e tij të shtunën në mbrëmje, në ndeshjen që skuadra e trajnerit Pioli do të luajë ndaj Torino.
Për këtë ndeshje që do të luhet në “San Siro” është parashikuar prania e 72 mijë tifozëve, pra një stadium i mbushur plot.
Pikërisht tifozët do të jenë arma plus e skuadrës kuqezi, që në debutimin sezonal fitoi 2-0 në shtëpinë e Bologna pak ditë më parë.
Kjo shifër e lartë e tifozëve ishte e pritshme, duke parë paraqitjen e mirë të Milan në ndeshjen hapëse të sezonit si dhe numrit të madh të abonimeve, 41.500 të tilla.
Sipas klubit, nga 72 mijë tifozë që do të jenë në total, 10 mijë pritet të vijnë nga jashtë Italisë: Amerika, Izraeli, Franca, Anglia, Belgjika e Gjermania.
Të pranishëm edhe presidenca e Milan për këtë ndeshje të parë në shtëpi, ndaj dhe “San Siro” ka hapur dyert.
Pra, Milan e nis me një stadium të tejmbushur plot aventurën e tij në fushën e tij, ku tifozët shpresojnë në një tjetër fitore dhe në fund të sezonit Milan të vendosë yllin e dytë në fanellë, duke festuar titullin e 20-të në historinë e Serie A.