MENU
klinika

Investimet në ujësjellës

Projektimi i rrjetit në Vlorë e Elbasan/ AKUM hap 2 tenderë

12.08.2023 - 11:10

Teksa shumë qytete vuajnë furnizimin 24 orë me ujë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime ka hapur 2 tenderë për investime në qytetet e Vlorës dhe Elbasanit. Tenderët kanë si objekt hartimin e projekteve për këto 2 qytete, që aktualisht kanë një rrjet të amortizuar e me shumë humbje.

Sipas dokumenteve të tenderëve, pas hartimit të projekteve, investimet do të kryehn nga buxheti i shtetit, ndërsa do të përfshijnë rehabilitimin e ujësjellësve për këto 2 qytete, përmirësimin e sistemit të matjes, si dhe zgjerim të sistemit aktual të furnizimit me ujë. Nga rehabilitimi i ujësjellësit të Vlorës parashikohet të përfitojnë rreth 17 mijë banorë, ndërsa në Elbasan rreth 28 mijë banorë.

Do të jetë këto studime që do të përcaktojnë vlerën e investimit që do të nevojitet në këto zona shërbimi, por gjithsesi arritja e objektivëve për furnizim 24 orë me ujë dhe rrjet kanalizimesh në të gjithë vendin deri në vitin 2030 kërkon një vlerë financimi prej rreth 162 mld lekë, 92% e të cilave janë kosto për investime. Por, teksa hendeku financiar rezulton në 10%, shuma tjetër pritet të sigurohet në një masë të madhe nga rritja e tarifave, që pagujanë abonentët.

Të dhënat janë pjesë e Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve, 2022-2030, që tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare e që parashikon një rritje graduale të kohëzgjatjes së furnizimit me ujë.