MENU
klinika

Dritan Hila

Albini në Athinë dobësoi Ramën dhe veten!

24.08.2023 - 12:11

Albin Kurti është përpjekur gjithë këto kohë të faktorizojë Prishtinën nëpërmjet një strategjie e cila kishte dy vektorë: Marrjen e vendimeve të forta në Prishtinë dhe ulja e ndikimit të Tiranës në politikën rajonale.

Në qëllimin e parë nuk mund të thuhet se ka ndonjë arritje. Sanksionet janë në fuqi, dhe blloku atlantik nuk po tregon ndonjë shenjë zbutjeje. E ndërkohë Vuçiç nuk duket i shqetësuar.

Sa i takon defaktorizimit të Tiranës në rajon, pothuajse ia ka dalë dhe kjo me një matematikë shumë të thjeshtë. Shqiptarët janë të rëndësishëm kur janë bashkë dhe bëjnë gjashtë milionë. Këtë e dinte Thaçi, Ali Ahmeti dhe natyrisht Rama. Një botë shqiptare ku njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, nuk tremb asnjeri. Në gjeopolitikë kanë rëndësi numrat. Përjashtim bën vetëm Izraeli, por askush tjetër nuk e bën dot vezën e hebrenjve. Shqiptarët u bënë të rëndësishëm pas viteve ‘60-të kur popullsia shqiptare andej dhe këndej kufijve u rrit me numra eksponencialë. Copëtimi ynë i dikurshëm në vitin 1918 përveç shumë faktorëve erdhi edhe për faktin se 1.5 milionë shqiptarë në Ballkan nuk vlenin përballë 7 milionë serbëve apo 7 milionë grekëve.

Ndryshimi drastik i pozitës sonë erdhi kur numrat tanë iu afruan atyre serbe dhe greke. Mirëpo mesa duket Kurti e ka harruar këtë.

Nuk mund të thuhet se Rama nuk bëri gabime në zhvillimet e fundit. Minimalisht duhej t’i ishte shmangur cic-miceve të Kurtit dhe nuk duhet të binte në lojën e tij. Do apo nuk do Kurti, Tirana është bërthama e kombit shqiptar dhe që këndej do përpunohen politikat dhe është Shqipëria që ka rolin e solistit. Pa një mbështetje të Tiranës, Kurti dhe kushdo tjetër që qeveris në Prishtinë është një minoritet.

Ndaj dhe me vajtjen në Athinë, ajo që ia arriti është se defaktorizoi Ramën si peshë politike në Kosovë, por ca me keq defaktorizoi edhe veten. Askush nuk e llogarit Kosovën pa Shqipërinë e cila automatikisht ka me vete edhe shqiptarët e Maqedonisë.

Pastaj nëse Kurti e kishte më kollaj t’i përgjigjej ftesës së Micotaqisit, shokut të Fredi Belerit, sesa atyre të Ramës dikur për Open Ballkan, këto janë llogaritë e tij. Por nuk duhet të harrojë se Ramën e ka të vetin. Dhe yti sado i keq, mishin ta ha por kockën ta le. Kurse Micotaqisi nuk të le as puplat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN