Diplomatët amerikanë dhe evropianë, të cilët e shohin Vuçiqin si figurën e vetme që mund t’i bindë serbët të bashkëjetojnë me qytetarët e Kosovës, kanë qenë të durueshëm ndaj të njëjtit teksa e fyente Perëndimin, duke e nxitur shovinizmin serb dhe duke u miqësuar me Presidentin rus, Putin.
Mirëpo, janë të shumtë ata që pyesin: a do ta blinit një marrëveshje paqeje në Ballkan nga ky njeri?
Vuçiq gjithmonë ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke këmbëngulur se ish krahina mbetet zemra e Serbisë dhe ka premtuar se do t’i mbrojë serbët etnikë të cilët jetojnë atje. Tensionet e zhurmshme shpërthyen këtë vit pas zgjedhjeve komunale në Kosovë, disa prej të cilave u bojkotuan nga serbët etnikë. Kur Kosova i vendosi kryebashkiakët shqiptarë etnikë, shpërthyen telashet dhe paqeruajtësit e OKB-së intervenuan pastaj.
Mosbesimi i ndërsjellë i dy fqinjëve ndaj njëri-tjetrit nuk është vetëm një vështirësi lokale në Ballkan. Serbia mbështetet prej kohësh në aleatin e saj në Moskë dhe pavarësia e Kosovës është përkrahur nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke i bërë tensionet një tjetër shprehje të një konflikti ndërmjetësues midis Rusisë dhe Perëndimit.
Alicia Kearns, kryetarja e komitetit të punëve të jashtme të Parlamentit Britanik, i ka shprehur dyshimet e saja për Vuçiqin në një letër të hapur muajin e kaluar të bashkë-nënshkruar nga 56 parlamentarë nga Evropa dhe SHBA. Megjithatë, Vuçiq është njeriu me të cilin Perëndimi dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
“Dëgjoni gjatë gjithë kohës se Vuçiq është opsioni i vetëm,” thotë Kearns. “Ne themi, ‘Lëreni ta bëjë kërcimin e tij, le t’i shfrytëzojë tensionet etnike, në mënyrë të fshehtë ai është me ne’ – mirëpo ai është irredentist [që kërkon kthimin e territorit të humbur].”
Ajo e vuri në dukje refuzimin e Vuçiqit në mars për ta nënshkruar një marrëveshje për Kosovën të ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE, kur edhe u tall: “Kam dhimbje torturuese në dorën time të djathtë. . . ajo dhimbje pritet të vazhdojë për katër vjet.”
Kearns tha se ajo “nuk ka dëshirë ta ndëshkojë Serbinë”, por ka një problem me SHBA dhe BE që e kanë kritikuar vendimin e Kosovës për t’i mbajtur zgjedhjet në prill në zonat me shumicë serbe.
“Kosova është rrahur me shkop, mirëpo ishte Serbia ajo që nënshkroi një marrëveshje sigurie me Moskën në shtator, ka dërguar dy ministra në Rusi në gjashtë muajt e fundit dhe nuk e ka sanksionuar Rusinë, Iranin apo Talibanët”, thotë Kearns. “Pse nuk po e kritikojmë Serbinë?”
Në stilin tipik vitriolik, Vuçiq, 53 vjeçar, reagoi duke i thënë Kearns: “Po bëjmë një hetim kundër jush për ta parë se kush po ju financon”.
Kearns tha se një deklaratë e tillë tregon shumë për Vuçiqin “duke thënë se ai e sheh të përshtatshme t’i kërcënojë parlamentarët”, duke shtuar se një rritje e kërcënimeve anonime që i janë bërë asaj që nga kjo deklaratë e Vuçiqit kishte detyruar një forcë shtesë e më të detajuar për sigurinë e saj.
Shfrimii Vuçiqit nuk është surprizë për Borko Stefanoviqin, deputet opozitar i Partisë serbe për Liri dhe Drejtësi, përpjekja e të cilit për ta detyruar Serbinë ta sanksionojë Rusinë u rrëzua nga qeveria.
“Anëtarët e opozitës mallkohen dhe ofendohen rregullisht në parlament dhe përshkruhen si armiq të shtetit në kanalet televizive të afërta me qeverinë, të financuara nga reklamat shtetërore,” thotë Stefanoviq, i cili ishte subjekt i një rrahjeje duke e lënë pa ndjenja me një shufër metalike gjatë një tubimi opozitar në vitin 2018 nga burra që kanë lidhje me partinë e Vuçiqit.
“Midis buletineve të lajmeve të televizioneve pro-Vuçiq ka shfaqje reale me tregtarë droge dhe vrasës që shndërrohen në heronj, të ndjekur nga legjione shikuesish në një vend që shikon më shumë televizion se kudo tjetër në Evropë pas Rumanisë,” thotë Stefanoviq.
Jo të gjithë serbët janë të lumtur – mijëra sosh janë shfaqur në rrugë këtë pranverë për të protestuar kundër dy të shtënave masive, të cilat ata i ndërlidhin me dhunën e jetës publike. “Klasat e mesme bëjnë një jetë fluske, të sigurtë se ‘politika nuk i prek ata. Ajo flluskë shpërtheu pas incidentit me të shtena masive tkur e kuptuan se ishte e lidhur me dhunën e nxitur nga qeveria,” thotë Stefanoviq.
Protestat kanë rezultuar si sfida më e madhe ende për Vuçiqin, i cili karrierën politike e filloi në vitet e ‘90 si ministër nën qeverisjën e Slobodan Millosheviqit, lideri serb i gjykuar më vonë për krime lufte pas luftërave që rezultuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Millosheviq vdiq në qelinë e tij në vitin 2006 ndërkohë që po gjykohej në Gjyqin e Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2014, i konvertuari pro-evropian Vuçiq i është kthyer sërish reklamimit të nacionalizmit serb, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president.
Stefanoviq thotë se Partia Progresive Serbe në pushtet e Vuçiqit e mban pushtetin duke kërcënuar stafin e kompanive shtetërore me shkarkimin nëse nuk e votojnë atë, dhe duke u dhënë punësim anëtarëve kartela partiake. “Njerëzit i bashkohen partisë duke shpresuar për një punë, prandaj ajo ka 700,000 anëtarë,” thotë ai. Vuçiq nuk i është përgjigjur kërkesës së The Times për një intervistë.
Qeveria e tij është akuzuar gjithashtu për rekrutimin e huliganëve të dhunshëm të futbollit për t’i rrahur kundërshtarët, një botë e turbullt e hetuar nga gazetari investigativ Stevan Dojcinoviq, por një pretendim ky të cilin Vuçiq e ka mohuar gjithmonë.
“Filloi me përdorimin e huliganëve si grupe paraushtarake gjatë luftës në Ballkan, thotë Dojçinoviq, 38 vjeç, ish-shkrimtar i punk muzikës që ndihmoi në themelimin e Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit të Serbisë. “Që atëherë, shërbimet sekrete të Serbisë u kanë ofruar mbrojtje kur kanë nevojë për para”.
Në zyrën e tij në një hapësirë të ngushtë në Beograd, Dojçinoviq nxjerr një dosje të trashë që përmban kopje të tabloideve pro-Vuçiq, të mbushura me artikuj të turpshëm për gazetarin, për të treguar se si qeveria i përdor mediat miqësore kundër armiqve të saj.
“Ndonjëherë jam në faqet e para pesë herë në muaj, i akuzuar se kam punuar për CIA-n, mafien apo inteligjencën franceze dhe kam vizituar klubet S&M,” thotë Dojçinoviq, 38 vjeç, duke shtuar: “Ata përdorin raporte nga shërbimet e sigurisë, të cilët janë djem shkollash të vjetra që nuk janë reformuar që nga koha e komunizmit.”
Në një shfaqje të kohëve të fundit padurimi me Vuçiçin, SHBA e sanksionoi shefin e tij të spiunazhit Aleksandar Vulin, duke e akuzuar atë për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe armëve.
Departamenti Amerikan i Shtetit pretendon gjithashtu se Vulin po e ndihmon Rusinë ta rriste ndikimin e saj në Ballkan – nuk është befasi për komunitetin e Beogradit të emigrantëve rusë anti-Putin, lëvizjet e të cilëve po kufizohen pasi qeveria serbe i deklaron ata “rreziqe sigurie”.
Pyetja për diplomatët perëndimorë është nëse Vuçia do ta ndjekë planin ekspansionist të Putinit dhe do të vazhdojë ta përdorë ndikimin e tij padrejtësisht në Ballkan apo nëse mund të mbështetet tek ai për ta nënshkruar një marrëveshje për Kosovën.
Kearns sugjeron se Vuçiq nuk është shpresa e vetme për Perëndimin, duke vënë në dukje protestat e fundit, të cilat, thotë ajo, “sugjerojnë se ka shumë më tepër njerëz të vendosur të kërkojnë stabilitet në Serbi sesa ne [mendonim]”.
Kearns u sfidua nga Sir Ivor Roberts, i cili ishte ambasador britanik në Jugosllavi në vitet 1994-97. “Ndërhyrja e Kearns nuk është e dobishme – serbët nuk reagojnë ndaj presionit, ata thjesht gërmojnë”, thotë ai. “Vuçiq është personi më i rëndësishëm me një distancë të konsiderueshme dhe vetëm një fantazist mund të mendojë se dikush tjetër mund ta zërë vendin e tij.”
Edhe Natasa Kandiq, themeluesja serbe e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, e cila fitoi vlerësime për hetimin e krimeve serbe të luftës, thotë se Perëndimi duhet të qëndrojë me Vuçiqin. “Çdo ditë ai e përsërit pretendimin e tij se Serbia është e rrethuar nga armiq dhe se Evropa, veçanërisht Gjermania dhe Britania e Madhe, e mbështesin Kosovën, mirëpo thjesht unë nuk shoh asnjë politikan tjetër serb që e ka fuqinë për ta negociuar një marrëveshje”.