MENU
klinika

Ndërhyrjet në sistemin TIMS

AMP bën kallëzim në Prokurorinë e Tiranës

22.08.2023 - 12:55

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për ndërhyrjet në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, pas ngritjes së shqetësimit për skandalin nga ambasada e SHBA-së.

Gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, i ngarkuari me punë të ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell shprehu shqetësimin e SHBA-ve lidhur me shkeljen në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit.

McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre.

“I Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë. I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit.

Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDowell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, u tha në njoftimin e Ambasadës.