MENU
klinika

Renditja e kuotave sipas qarqeve!

Aplikimet për në Akademinë e Sigurisë/ Ministria e Brendshme: Do të pranohen 100 “ekselentë”!

14.08.2023 - 12:04

Prej disa ditësh kanë nisur aplikimet e të rinjve, për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë. Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko dha disa detaje në lidhje me përzgjedhjen dhe kriteret që duhet  të plotësojnë aplikantët.

Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se do të pranohen 100 të rinj, të cilët janë “ekselentë”.

Studentët duhet të jenë të degëve jurisprudencë, ekonomi ose IT. Mesataren duhet ta kenë 8 e lart në të dy ciklet e studimit, bachelor dhe master si dhe të kenë njohuri të gjuhës angleze.

Deklarata

Ministria e Brendshme po udhëheq një proces reformash në kuadër të forcimit, rigjenerimit dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të radhëve të Policisë.

Prej disa ditësh kanë nisur aplikimet e të rinjve, që njihen si studentët ekselentë, për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë.

Policia e Shtetit ka përcaktuar kuotat e pranimit në bazë të nevojave të drejtorive vendore në qarqe.

Numri total i kuotave të pranimit, për këtë vit, është 100

Këta 100 të rinj që do të pranohen në radhët e Akademisë së Sigurisë, janë pjesë e grupit që ne i kemi quajtur “të ekselencës”, pasi ata duhet të plotësojnë disa kritere dhe vijnë nga degët:

– jurisprudencë, ekonomi ose IT;

– mesatarja 8 e lart në të dy ciklet e studimit, pra bachelor dhe master;

– gjuha angleze.

Së fundmi kemi nënshkruar një marrëveshje me Universitetin  e Tiranës, e cila synon që:

– të nxisë rritjen e kapaciteteve profesionale dhe standardeve etike të nëpunësve, të MB e të PSH;

– të kontribuojë në rritjen cilësore dhe sasiore të kapaciteteve mësimdhënëse dhe kërkimore të Akademisë së Sigurisë si institucion i lartë i formimit  akademik të PSH;

Rritja e kapaciteteve të Akademisë së Sigurisë është parakusht për rifreskimin, rritjen cilësore dhe zhvillimin profesional të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Synimi është edhe zgjerimi i ofertës akademike dhe kapaciteteve kërkimore shkencore të Akademisë së Sigurisë.

Në përfundim të ciklit të përshpejtuar të studimeve, (rreth 1 vit), këta studentë do të inkuadrohen në radhët e Policisë Kriminale, për të fuqizuar goditjen ndaj krimit ekonomik, kibernetik etj.

Lidhur me modalitetet e aplikimit, Aplikimet bëhen pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Kuotat e pranimit në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, janë dhe janë të ndara sipas nevojave të strukturave të Policisë në nivel vendor në drejtoritë respektive:

17 kuota në qarkun Korçë;

5 kuota në qarkun Berat;

8 kuota në qarkun Fier;

13 kuota në qarkun Vlorë;

16 kuota në qarkun Gjirokastër;

13 kuota në qarkun Shkodër;

16 kuota në qarkun Kukës;

12 kuota në qarkun Dibër.

Pas përfundimit të konkurrimit, renditja e aplikantëve fitues sipas rezultateve të arritura do të bëhet në nivel qarku ku ata kanë aplikuar, në bazë të kuotave të shpallura për konkurrim.

Detajet e plota gjenden ne ëebsitin e internetit dhe gjithashtu ne te gjitha rrjetet sociale te Ministrise se Brendshme.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme po bën përpjekjet e saj në lidhje me përmirësimin e kushteve të punës për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, sidomos për nivelin bazë, që në vitin e ardhshëm pritet të ketë një rritje të konsiderueshme pagash, pa lene jashtë nivelin e lartë drejtues.

Siç ka deklaruar edhe Ministri Balla, në buxhetin e vitit të ardhshëm, synojme një rritje tjetër të ndjeshme në pagë për trupën e Policisë së Shtetit.

Si Ministri e Brendshme, jemi në vetëdijshëm se krahas nevojës për terheqjen e elementit të kualifikuar në radhët e policisë, duhet të garantojmë edhe një trajtim dinjitoz financiar për këta të rinj, që kanë shpenzuar vite e vite në auditoret e universiteve.

Është krejt e qartë që Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme, qeveria e Kryeministrit Rama, synon që punonjësit të kenë paga që konkurojnë denjësisht me sektorin privat.

Prej kohësh ne kemi nisur një program që trajton me shtesa në pagë, punonjësit e policisë që shërbejnë larg vendbanimit të tyre.

Ky trend për një trajtim dinjitoz të punonjësve tanë me uniformë, do të vijojë edhe më tej, duke e bërë sa më tërheqëse uniformën e punonjësit të Policisë.

Programi për strehimin social ka pak ditë që eshte shpallur dhe 100 banesa do te jene per punonjës të Policise.

Vizioni ynë për të ardhmen është që të kemi një trupë policore:

– të aftë profesionalisht për detyrën;

– imune ndaj fenomeve gërryese të korrupsionit;

– me ambicie për t’u radhitur si e barabartë me kolegët e saj në rajon dhe në Europë.

Ndaj dua të përsërit thirrjen për t’i shfrytëzuar këto ditë të mbetura deri në datë 30 gusht, për të aplikuar, testuar veten dhe për t’u bërë pjesë e Gjeneratës së Re të Policisë së Shtetit!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN