MENU
klinika

Nga Mero Baze

Armiqtë e rinj të Berishës për inceneratorët

05.08.2023 - 22:15

Sali Berisha ka zbuluar armiq të rinj për inceneratorët. Nuk janë më Edi Rama, Veliaj, Ahmetaj, Gjiknuri, apo Klosi, por janë dy të tjerë, që paskan hedhur gurin e kanë fshehur dorën. Janë Ëngjëll Agaçi dhe Artur Metani. Sidomos ky i fundit, i cili tani mban postin e inspektoriatit të Përgjithshëm të Drejtësisë.

Ka dy ditë që merret me të. Në fakt e ka nisur sulmin qyshkurse ai bëri një takim publik me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, i cili i kërkoi që institucioni i tij të inkurajojë drejtësinë të japin dënime të rrepta për zjarrëvënësit e pyjeve.

Prej asaj dite Berisha po merret përditë me Artur Metanin. Sa për të mos e lënë vetëm thotë dhe Ëngjëll Agaçin.

Sulmi natyrisht nuk ka të bëjë me Artur Metanin, i cili është njeriu më jo protagonist në gjithë debatet politike apo publike rreth drejtësisë. Madje mban një stekë aq të ulët në debatin publik për drejtësinë, sa askush, përveç Berishës, nuk e di mirë se çfarë pune bën. Ai drejton institucionin që kontrollon performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në gjithë vendin, bazuar në kritere të qarta ligjore.

Sulmi i Berishës lidhet pikërisht me këtë pozicion. Makthi i Berishës buron nga perceptimi që ai ka për veten e tij sikur të kishte pushtetin e Artur Metanit. Natyrisht do t’i thërriste prokurorët e gjykatësit, do t’i vinte në rresht siç i vuri për Gërdecin dhe 21 Janarin, dhe do t’i detyronte të mos shikonin çfarë kishte ndodhur dhe çfarë kishte bërë ai dhe djali i tij, që brenda dy viteve bënë një varrezë private me të vrarë në Shqipëri. Plot 30 vetë.

Tani mendon se Artur Metani mund të thërrasë gjyqtarë apo prokurorë që kanë në duar procese që lidhen me familjarë të Berishës, dhe t’i nxisë të veprojnë shpejt. E gjitha çfarë e shqetëson Berishën është se mos humbasë pushtetin që ende vazhdon të ruajë në drejtësi, madje dhe tek Gjykata Speciale dhe SPAKU, të cilët nuk prekin me dorë asgjë që ka lidhje me të.

Dhe njeriu i parë që Berishës i shkon në mendje se mund ta aktivizojë ndonjë çështje kundër tij, është Artur Metani. Jo se i ka dhënë ndonjë shkak personalisht, por se ashtu do te vepronte vetë Berisha po ta kishte atë pushtet.

Duke e sulmuar paraprakisht, Berisha ndjehet më i sigurtë se ai do kompleksohet dhe nuk do takojë kurrë ndonjë gjyqtar apo prokuror që merret me gjyqin e dhëndrit apo djalit, dhe akoma më tej, do që ta ketë këtë si alibi nëse çudia ndodh dhe ata merren të pandehur.

Kjo është arsyeja e vetme pse ai ka ndërruar targetin e sulmit nga Edi Rama, tek Artur Metani. Ndryshe pastaj i bie që të sulmojë Metanin dhe Agaçin, për të na treguar se kryeministri nuk mban përgjegjësi për asgjë, dhe aferat e tij më 21 janar apo Gërdec, nuk lidhen me të, por me Gjergj Lezhën dhe Hasan Metukun, njëri sekretar i Përgjithshëm dhe tjetri një tip që e ka pas si këshilltar ligjor në Kryeministri.

Gati është ta bëjë dhe këtë, por thjesht nuk shikon ende ndonjë rrezik se dikush mund ta marrë të pandehur. Deri tani ka hallin e dhëndrit dhe djalit.