MENU
klinika

Nga Artur Zheji

Beleri-Bejleri-Beleris

23.08.2023 - 12:06

Nëse çështja e ashtuquajtur Beleri-Bejleri-Beleris, do të degradojë në një shpërbërje të pandershme të institucioneve shqiptare, do të ketë padyshim një regres të ri, në luftën shtetformuese të shqiptarëve.

Në këtë betejë, e cila në fasadë është për lirimin pa kushte dhe në mënyrë antiligjore të Fredi Belerit, thjesht sepse këmbëngul Athina zyrtare, është në “lojë”, shteti ligjor shqiptar! Nëse gjykata shqiptare shkërmoqet edhe kësaj rradhe, humbja nuk do të jetë e Ramës, por e shtetit shqiptar që duhet të jetë gjithmonë e më tepër një institucion impersonal.

Berisha me Belerin ka hyrë në një rrugë qorre, nga e cila duhet të dalë.

Në të mirë të atyre që e ndjekin, Berisha duhet të heshtë për këtë rast dhe të mos i dhurojë kaq bujarisht vota popullore Ramës, që po e menaxhon këtë situatë krejt logjikshëm, duke fituar konsensus në trojet shqiptare dhe në Bruksel.

Sepse Brukseli e di mirë, që Republika e Athinës, është i vetmi vend i Bashkimit Europian që nuk njeh asnjë minoritet etnik në popullsinë e saj.

Kryeministri Micotaqis, me një formim ekselent oksidental anglosakson, i kreu me sukses zgjedhjet e veta parlamentare dhe “Beleris question”, është në të vërtetë për të “Sikleti Beleris!”. Në të vërtetë, Micotaqis, studjuar në Harvard dhe doktoruar në Stanford për marrëdhënie ndërkombëtare, është një aleat i mirë i oksidentalizimit të Greqisë dhe Ballkanit.

Ai e di më mirë se sa shumica e populistëve sherrxhinj ballkanas, që oksidentalizimi i Greqisë është në të mirën e saj, ndërsa zgjidhja në mënyrë ballkanike, domethënë në mënyrë antiligjore e “Beleris question”, është një regres jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Athinën oksidentale.

Polikanët e tjerë helenë, që vizituan të “revoltuar” Himarën, panë se shumica e himarjotëve ishte e zënë me biznesin turistik dhe u zuri syri turma të mëdha me rroba banjo, që ndoshta i ngatërruan me “atraksione turistike” sezonale. Ata duhen mirëkuptuar, me sa duket persekutimi imagjinar i minoritarëve grekë, sjell akoma vota nëpër provincat e largëta.

Sado benzinë të hidhet në këtë çështje, Shqipëria do të rezistojë në mënyrë Ligjore, sepse në pikëpyetje, po vendoset shteti ligjor shqiptar. Por personalisht, nuk bashkohem me alarmizmin populist, nga të dy anët e kufirit greko-shqiptar. Thjesht duhen pastruar nga kabinetet ca këshilltarë pa vizion…

Në Shqipëri ekuacioni politik është edhe më i thjeshtë: E djathta, duhet të mos harrojë pro-Oksidentalizmin që e lindi politikisht. Kaq!

Shumë shpejt, Himara e bukur, do të bëhet edhe më e bukur kur të jetë më pak e përçarë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN