Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas skandalit të radhës të qeverisjes së Edi Ramës. Berisha thotë se fakti se kontrata origjinale e koncesionit të sterilizimit është zhdukur, ka ndodhur nga Ilir Beqaj.
Në shkrimin e tij, Berisha u bën thirrje qytetarëve që të ngrihen kundër qeverisë, të cilën e quan organizate kriminale e që sipas tij nuk ndalet para asnjë krimi për plaçkitjen e qytetarëve shqiptarë.
REAGIMI:
Zhdukja e kontratës origjinale të sterilizimit nga Beqja është banditizëm ekstrem. Ky akt ngjason me atë të vrasësit, që për të zhdukur gjurmët e krimit djeg trupin e viktimës pasi e ka ekzekutuar atë.
Të dashur miq!
Kriminel me mandat ministri, anëtarë qeverie si Beqja, për të fshehur gjurmët e vjedhjeve të tij të tmerrshme, prej qindëra milionë euro me koncesionet e tij, ka zhdukur origjinalin e kontratës së sterilizimit. Zhdukja e origjinalit të kontratës së sterilizimit, por dhe kontratave të tjera nga kasaforta e ministrit, që e ka firmosur atë pasi gjendet se vetëm me sterilizimin ai ka vjedhë dhjetëra milionë euro, është një akt kriminal i shëmtuar, i ngjashëm me atë të një vrasësi, që për të fshehur vrasjen dhe zhdukur gjurmët e krimit të vet, djeg kufomën e viktimës së tij. Me zhdukjen e kontratës origjinale dhe zëvendësimin e saj me një kontratë të falsifikuar, Beqja kërkon të fsheh të gjitha klauzolat e kontratës, në të cilat është bazuar vjedhja e hapur e parave publike nga koncesionari i tij.
Të dashur qytetar dhe qytetare, shikoni pra se kush janë ata që drejtojnë Ministritë e vendit dhe ulen në karrigen e anëtarit të qeverisë. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt të rëndë kriminal shtetëror, ju bej thirrje qytetarëve shqiptarë, që të ngrihemi sot ose kurrë kundër kësaj organizate kriminale, që quhet qeveri dhe kryesohet nga Edi Rama dhe nuk ndalet para asnjë krimi për plaçkitjen e qytetarëve shqiptarë.
Vetëm revolta qytetare e qëndrueshme gjerë në dëbimin nga pushteti të këtyre kriminelëve me mandat, është rruga e vetme e shpëtimit të çdo qytetari të ndershëm dhe Shqipërisë nga kthetrat e tyre. sb