MENU
klinika

Nga Nigeri në Argjentinë

Bota zien nga tensionet, ja lojtarët e rinj që po trazojnë ujërat

17.08.2023 - 08:47

Trumpisti Javier Milei fitoi zgjedhjet paraprake në Argjentinë, duke e afruar ultra të djathtën drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Pas dy viteve të sundimit të talebanëve, Afganistani rrezikon të shembet mes varfërisë dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Në Pakistan ka një kryeministër të ri të përkohshëm, të cilin, megjithatë, popullsia nuk e dëshiron. Në Nigeri, presidenti i rrëzuar Mohamed Bazoum po ndiqet penalisht për “tradhti të lartë” dhe “kërcënim për sigurinë” e vendit, teksa puçistët thonë se janë gati të negociojnë. Pra, janë shumë “lojtarë të vegjël”, që po dalin papritur në skenë. Bota po “zien” nga tensione të tilla në vende të vogla, që megjithatë kanë rrezik të shndërrohen në konflikte me pasoja globale, që fusin me apo pa dashje edhe “lojtarë të mëdhenj” në valle.

“Trumpi i Argjentinës”

Javier Milei, ky është emri i presidentit të ri të mundshëm të Argjentinës, i cili fitoi zgjedhjet paraprake për zgjedhjen e kandidatëve presidencialë në tetor. Ai është pa dyshim fans i ish-presidentit amerikan Donald Trump: mohon ndryshimet klimatike, e konsideron edukimin seksual një komplot kundër familjes, dëshiron të ndalojë abortin, të liberalizojë posedimin e armëve dhe të “dollarizojë” ekonominë argjentinase. 52-vjeçari mori 30% të votave në zgjedhjet paraprake me partinë populiste dhe ultra-liberale “La libertad avancon”. Për habinë e tij të madhe, ai i mundi të gjithë, duke shfrytëzuar valën e pakënaqësisë argjentinase me inflacionin galopant që kishte arritur në 100%. Mediat argjentinase e përshkruan rezultatin si një “tërmet politik”, gazeta La Nación e krahasoi rezultatin e Miley-t me një cunami.

Afganistani në rrezik

Dy vjet pasi talebanët morën pushtetin, Afganistani tani gjendet në prag të rrënimit. Kjo u njoftua nga Amnesty International duke shpallur një epokë të re të dhunës dhe të drejtave të njeriut të kryera nga talebanët. Ata vazhdojnë të shkelin sistematikisht shumë të drejta të njeriut. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, hendeku midis premtimeve dhe praktikës së autoriteteve afgane është zgjeruar ndjeshëm dhe natyra e vërtetë e talebanëve është ekspozuar. Më të prekurit, siç pritej, janë gratë, vajzat dhe djemtë, por edhe personat me aftësi të kufizuara, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarët e shumë të tjerë. Dy aktorë veçanërisht të interesuar për atë që po ndodh në Afganistan janë padyshim Kina dhe Rusia. Si dhe Amerika, vazhdon të ketë interes, për një zonë që ajo u akuzua se e çoi për herë të dytë në ferr.

Trazirat në Niger

Në Nigeri, situata vazhdon e tensionuar. Presidenti i rrëzuar Mohamed Bazoum po ndiqet penalisht për “tradhti të lartë” dhe “kërcënim për sigurinë” e vendit. Komplotuesit e grushtit të shtetit të Nigerit e thanë këtë në një deklaratë të lexuar në televizionin kombëtar. Ecowas u përgjigj menjëherë, duke theksuar se këto kërcënime janë “një provokim”. Mucahid Durmaz, analist i lartë i Afrikës Perëndimore në kompaninë Verisk Maplecroft, konfirmon manovrën dhe shpjegon se puçistët duke e bërë këtë synojnë të zvogëlojnë legjitimitetin e Bazoum dhe të bindin fuqitë e huaja nga përpjekjet për ta rikthyer atë në presidencë. Koha po kalon dhe në rrezik nuk është vetëm fati i Nigerit, por edhe ndikimi i fuqive rivale botërore me interesa strategjike në rajonin e Sahelit.

Zgjedhjet në Pakistan

Sakaq, në Pakistan, përpara zgjedhjeve të nëntorit, ish-senatori Anwarul Haq Kakar u betua si kryeministër i përkohshëm në Islamabad. Ai e mori postin nga Presidenti Arif Alvi në ditën e pavarësisë së Pakistanit nga Britania në vitin 1947. Emërimi u bë në një ceremoni ku mori pjesë edhe ish-kryeministri Shehbaz Sharif. Karkar tha se ai ka hequr dorë nga anëtarësimi i tij në Partinë Balochistan Awami, për të marrë rolin e kryeministrit. “Unë do të përpiqem të ruaj ideologjinë islame që mbështet krijimin e Pakistanit,” premtoi Kakar në fjalimin gjatë ceremonisë. Betimi zhvillohet në një periudhë “të nxehtë” në Pakistan, pas dënimit të ish-kryeministrit Imran Khan, që shkaktoi tensione dhe përleshje në vend.