Armando Broja te Milan është një telenovelë që do të zgjasë deri në fund të merkatos së verës. Një ditë pas lajmit se ‘djalli’ është interesuar për sulmuesin shqiptar ka ardhur përgjigjja negative e Chelsea-s, që nuk dëshiron të privohet nga 21-vjeçari.
Me dëmtimin e Nkuku-t dhe me vetëm Jackon në dispozicion, Armando Broja nuk lëviz nga Chelsea pasi Pochetino e shikon si sulmues të dytë. Megjithatë ‘Sportmediaset’ shkruan se ‘jo’ e londinezëve nuk është përfundimtare. Kjo edhe për shkak të marrdhënies shumë pozitive që kanë drejtuesit e dy klubeve.
Aktualisht Chelsea po shikon për të afruar një tjetër sulmues në merkato, por ende nuk ka një emër konkret. Megjithatë mundësia e vetme që Broja të lëvizë drejt Milanit është nëse Pochetino gjen deri në fund të gushtit një zëvendësues.
Oferta e Milanit për Broja është huazim me të drejtë blerje. Në këtë aspekt Chelsea nuk ka patur pretendime, por thjesht pret të gjejë zëvendësuesin e Brojës, i cili më në fund është kthyer në skuadër pas dëmtimit të rëndë që pësoi vitin e kaluar. Ndërkohë Milan përveç Brojës po shikon edhe pistën Hugo Ekitike, por sulmuesi i Paris SG kushton shumë. Për momentin asnjë ofertë poshtë 30 milionë eurove nuk do të pranohet.
Përveç një sulmuesi në ndihmë të Giroud, deri në fundin e merkatos Milan kërkon edhe përforcime të tjera në mbrojtje.