Forcimi i lekut në dy vitet e ka ulur inflacionin në vend me 2.5 për qind, duke bërë që qytetarët, sipërmarrjet dhe qeveria të kursejnë plotë 92 miliardë lekë. Është ky vlerësimi i Bankës së Shqipërisë në raportin e ri të politikës monetare. Për drejtorin e Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, rënia e euros do të shërbejë për të rikthyer inflacionin në objektivin 3 për qind së afërmi.
“Projeksionet tona mbeten pozitive, trendi rënës i inflacionit do të vazhdojë. Por kemi theksuar edhe se kushtet e përgjithshme monetare dhe financiare mbeten të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv. Forcimi i kursit të këmbimit na ka mundësuar të absorbojmë një pjesë të presioneve inflacioniste nga tregu i huaj”, thotë Themeli.
Megjithatë për Bankën e Shqipërisë presionet inflacioniste mbeten ende të ashpra ndaj nuk përjashtohet mundësi që në vijim të ketë sërish rritje të normës bazë të interesit për lekun.
“Banka e Shqipërisë mbetet nën monitorim të situatës, do të analizojmë të gjithë faktorët dhe do të priremi nga informacioni i ri për kursin e këmbimit dhe ecuria e inflacionit. Ky normalizim ka qenë shumë më pak agresiv se vendet e rajonit sepse një pjesë të presioneve inflacioniste e ka absorbuar kursi i këmbimit. Impulset që kemi dhënë në treg kanë qenë pozitive”, thekson drejtori i politikave monetare.
Në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në 3 për qind.