MENU
klinika

Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor

BSH rrit zyrtarisht shumën e planifikuar të blerjeve të valutës

04.08.2023 - 09:31

Banka e Shqipërisë ka vendosur zyrtarisht të rrisë shumën e planifikuar të blerjeve të valutës për vitin 2023.

Sipas informacionit të përditësuar, shuma e parashikuar e blerjeve për vitin kalendarik do të rritet në intervalin mes 220 dhe 300 milionë eurove, nga intervali i mëparshëm prej 160-220 milionë eurosh që ishte publikuar në fillim të këtij viti.

Sipas informacionit të dhënë të mërkurën nga Guvernatori, Gent Sejko, Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro deri tani, duke kaluar kufirin e poshtëm të intervalit fillestar vjetor qysh në shtatë muajt e parë të vitit. Vendimi për rritjen e shumës së blerë të valutës në tregun e brendshëm erdhi si përgjigje ndaj forcimit të Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Megjithëse Banka e Shqipërisë ndjek një kurs të lirë të këmbimit valutor dhe si rregull ndërhyn në treg vetëm në rast të çrregullimeve të përkohshme, mbiçmimi shumë i lartë i lekut gjatë muajve të fundit mund të jetë vlerësuar si një faktor me ndikim potencialisht negativ për ekonominë, veçanërisht për sektorët eksportues të mallrave dhe të shërbimeve.

Mes datave 18 gusht dhe 31 dhjetor, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të zhvillojë edhe shtatë ankande të blerjes së valutës në tregun e brendshëm. Megjithëse në teori ankandet valutore kryhen në shërbim të administrimit të rezervës valutore, praktikisht Banka e Shqipërisë ka vendosur ta përdorë këtë mekanizëm edhe në funksion të ndërhyrjes në kursin e këmbimit valutor.

Në javët e fundit, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut po shfaq një luhatshmëri të fortë, duke alternuar rënie dhe rritje të forta në harkun e pak ditëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 104.7 lekë, në rritje me 2.75 pikë krahasuar me ditën e mërkurë.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për ndërhyrë në kursin e këmbimit erdhi pas një presioni disamujor të ndërmarrjeve eksportuese, sipas të cilave forcimi i Lekut po merr përmasa të rrezikshme dhe mund t’i çojë këto ndërmarrje drejt falimentimit.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se forcimi i lekut në tërësi ka pasur ndikime pozitive për ekonominë shqiptare këtë vit, duke mundësuar zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste dhe ruajtjen e normave më të ulëta të interesit krahasuar me shumicën e ekonomive të rajonit dhe Europës.

Edhe në mbledhjen e këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin prej 3%.

Duke qenë se mbledhja e ardhshme planifikohet të zhvillohet në muajin tetor, kjo do të thotë se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të veprojë edhe për dy muajt e ardhshëm në kushtet e normave relativisht të ulëta të interesit.

Duke shtuar edhe ndërhyrjen në tregun valutor për të rritur blerjet e Euros, kjo mund të sjellë rritje të ofertës monetare dhe të forcojë më shumë presionet inflacioniste. /Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eksportuesit letër institucioneve financiare

“Rënia e euros po ndikohet nga paratë kriminale…”