MENU
klinika

Rama paralajmëron ndryshime drastike

Çfarë pritet të ndodhë në forumin më të lartë të socialistëve

29.08.2023 - 10:55

Pavarësisht fitores së madhe që korri në zgjedhjet lokale të 14 majit, socialistët duket se i pret një shtator i “nxehtë” dhe sezon i ri i ngarkuar politikisht. Ditën e djeshme u mësua zyrtarisht se Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet të hënën e ardhshme në 4 shtator. Forumi më i lartë i PS do të vendosë mbi riorganizimin në parti në këtë sezon politik, por aty mund të shpallet edhe riformatimi i qeverisë nga kryeministri Rama. Mesazhet e Ramës gjithë këto javë kanë qenë të shkurtra, por duke lënë hapësira për diskutim pasi ai ka paralajmëruar ndryshime drastike në mazhorancë. Nëse PS mori të gjitha votat duke nxjerrë jashtë loje çdo parti si në zgjedhjet e përgjithshme, por edhe ato të 14 majit, vendimi për të spastruar kupolën drejtuese të partisë duket i çuditshëm në pamje të parë.

Ja çfarë pritet të ndodhë në Asamblenë e PS

SPAK e ka vendosur kryeministrin Rama me shpatulla pas muri edhe pse ky i fundit ka marrë të gjithë pushtetin vendor dhe qendror në duar i vetëm. Në javët e fundit, drejtësia e re ka çuar emra të njohur nga PS në qeli. Prokurorët specialë kanë arritur të bëjnë atë që nuk mendohej kurrë se do të ndodhte ndonjëherë në Shqipëri. Hapja e “Kutisë së Pandorës” në abuzimet me shëndetësi. Dy dosje të cilat pritet të çojnë pas hekurave zyrtarë të lartë socialistë, të përfshirë ministra, ish-ministra, deputetë, drejtorë e punonjës. Nga ana tjetër, afera e inceneratorëve që fundosi aleatin e tij Arben Ahmetaj, një nga funksionarët më të lartë tek socialistët rrezikon dhe emrin e Ramës. Gjithashtu në SPAK shumë ministra socialistë kanë dosje nën hetim. Siç e kemi parë këto kohë, drejtësia e re në patronazh nga amerikanët nuk pyet për emra. Frida Krifca, Damian Gjiknuri, Ilir Beqaj, Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu, Niko Peleshi apo dhe Belinda Balluku i kanë punët keq me drejtësinë. Dosjet e abuzimeve me fondet e BE, tenderat, korrupsioni në shëndetësi, inceneratorët, po ziejnë në SPAK. Është çështje ditësh, apo javësh që Prokuroria e Posaçme të presë fletë-arreste të tjera dhe në rrjetën e SPAK pritet të bien të tjerë socialistë. Pra pas një vere “jo të qetë” për mazhorancën qeverisëse për shkak se në rrjetën e SPAK kanë rënë ish-zyrtarë të lartë saj, të akuzuar për korrupsion, Edi Rama pritet t’i përgjigjet me ndryshime ministrash. Vetë kryeministri nuk e përjashtoi mundësinë që shtatori mund të rifreskojë qeverinë, siç bëri në 2018-ën kur hoqi thuajse gjysmën e ministrave më të rëndësishëm. Një gjë është e sigurt. Kryeministri Rama pritet t’ua ripërsërisë të vetëve qëndrimin e tij, se PS nuk do të jetë mburojë për cilindo zyrtar apo politikan, qoftë vendor apo qendror, nëse ka punë me drejtësinë.

Mesazhet e Ramës dhe ministrat e rrezikuar

Kjo situatë nuk e përjashton vendimin e Ramës për të reformuar totalisht qeverinë në shtator. Sinjalet i dha vetë kryeministri pak javë më parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Në mbledhjen e Asamblesë, kryeministri Edi Rama shkarkoi gjithë sekretarët e Partisë Socialiste. Një valë ndryshimesh priteshin edhe në takimin me ministrat në Tepelenë, referuar kjo deklaratave të Edi Ramës ku shprehej “Me qeverinë do të merrem nesër ose pasnesër”. Plani strategjik i liderit të PS mesa duket i ka stopuar këto “furtuna” për në shtator, pasi dha sinjale se do të ketë reformim drastik në vjeshtë. Këtë e paralajmëroi edhe me një postim në rrjetet sociale. “Reflektime dhe qarkullim mendimesh e idesh në prag të një sezoni të ri reformimesh dhe vetëreformimi!”, u shpreh Rama pak javë më parë. Madje në konferencën e fundit me gazetarët, Rama kur u pyet për ndryshimet në qeveri tha: Prisni Asamblenë”. Pra kryeministri mund të përdorë skemën që ka aplikuar gjithmonë kur skandalet i shpërthejnë në qeveri. Ai do të bëjë sërish “kurban” ministrat duke i bërë fajtorë për firmat që ata hedhin me kërkesën e tij. Emrat më të rrezikuar në skenarin e parë të Ramës për reformim total të qeverisë janë ministrat dhe socialistët e tjerë me dosje në SPAK. Ata do të jenë të parët që mund të shkarkohen siç është rasti i ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, për të cilën hetuesit e Bashkimit Evropian dyshojnë për korrupsion me fondet e AZHBRR-së kur drejtohej nga ajo apo ministrja e Jashtme Olta Xhaçka që fati i mandatit të saj pritet të shqyrtohet nga “Kushtetuesja”. Këtyre i shtohet edhe Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Financave që në korrik shkarkimi nga ajo vetë dhe Edi Rama u mohua. Thashethemet e verës pritet të vërtetohen në vjeshtë. Se kush ikën dhe vjen, këtë e di vetëm Edi Rama, ashtu siç ndodhi në Asamblenë Kombëtare të korrikut kur askush nuk e priste, madje as vetë Damian Gjiknuri që do të shkarkohej nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, e bashkë me të i gjithë sekretariati. Po aq Asambleja Kombëtare do të duhet të vendosë edhe datën për kongresin e jashtëzakonshëm të socialistëve, i parashikuar të mbahet në fund shtatori ose fillim tetori. Në kongres socialistët do të vendosin për numrin dy të tyre që deri më tani si detyrë po e ushtron Blendi Klosi dhe për drejtuesit e rinj të sekretariateve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përmbledhja ditore e rajonit

‘Thaçi nuk e ka përkrahjen e popullit’

Rama në KiE flet për gjykimin e Thaçit

“Korrigjoni gabimin që bëtë me Thaçin dhe UÇK”