MENU
klinika

Shtrëngime duarsh dhe të qeshura...

Darka në Slloveni/ Çfarë ndodhi mes Kurtit dhe Ramës

28.08.2023 - 11:09

Anulimi i mbledhjes së dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë që ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor, kishte nxitur debate në distancë mes Kurtit dhe Ramës.

Që nga ajo kohë të dy kryeministrat kishin shmangur takimet mes njëri-tjetrit.

E pas gjithë kësaj zhurme që raportet Kosovë-Shqipëri mund të jenë të tensionuara, të dy kryeministrat u panë tek i shtrënguan dorën njëri-tjetrit në darkën që u mbajt të hënën në Lubjanë të Sllovenisë.

Ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ai i cili publikoi disa fotografi nga kjo darkë ku edhe shihej përshëndetja e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe shtrëngimi i duarve duke pasuar me të qeshura.

 

 

Takimi u zhvillua në darkën e mikpritjes së kryeministrit slloven, Robert Golob, në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit që do të mbahet sot.

Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë ka thënë se respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke janë parakushte për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Mesazhe inkurajuese nga Kryeministri i Sllovenisë Robert Golob mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor. Unë i bëra jehonë thirrjes për një qasje të bazuar në vlera ndaj anëtarësimit në BE, të fokusuar në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

Kurse, Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon ka komentuar takimin duke e quajtur “Mbledhje të madhe me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor”

“Ne duhet të mendojmë jashtë kornizave dhe të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Procesi i bazuar në vlerë na bashkon. Sllovenia do të vazhdojë të punojë shumë për ta sjellë Ballkanin Perëndimorë më afër Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fajon.

Prezent në këtë darkë ishte edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic.