MENU
klinika

Bllokohen noterët, tregu imobilar, bankat dhe kreditë

Digjitalizimi i sistemit të Kadastrës shkakton kaos dhe revoltë te qytetarët

25.08.2023 - 11:10

I ashtuquajturi revolucion digjital në Kadastër duket se ka futur në kaos gjithë Shqipërinë, duke ka paralizuar thuajse gjithë sektorët, ndërkohë që më të prekurit nga ky vendim i qeverisë janë qytetarët. Më konkretisht ky vendim për të prerë kontaktet me punonjësit e Kadastrës, ka sjellë zvarritje pa limit të shqyrtimit të aplikimeve, sikundër janë bllokimi i një sërë sektorësh të ekonomisë, siç janë ndërtimi, real estate, bankat , noterët, pasoja këto që e kanë kthyer Kadastrën në një institucion shumë problematik në shërbimet ndaj qytetarëve. Më poshtë gazeta “SOT” po pasqyron shqetësimet e grupeve të interesit, të bërë publike në media të ndryshme vize dhe të shkruara në Shqipëri.

Qytetarët revoltohen
Shkresa qe lexoni me poshte është përgjigjja që kadastra ka kthyer pas një aplikimi për regjistrimin e një prone. Përmbajtja e saj është vetëm katër fjali, të cilat jo vetëm janë formuluar krejtësisht gabim, por mbi të gjitha nuk kanë asnjë kuptim.

Zyrtarët e kadastrës kërkojnë që aplikimi të plotësohet me dokumente shtesë, por se cilat janë ato nuk thuhet, ndërsa qytetarit i mbetet vetëm të hamendësojë ose të bëjë riaplikimin, duke paguar për së dyti. Kjo praktikë po ndiqet nga Riza Xhemollari, i cili përfaqëson një zyrë projektimi, për llogari të klientit të tij. “Jemi një studio projektimi. Dy klientë tanë kanë ardhur tek ne për një shërbim, por pikë së pari kërkohet që të identifikohen disa prona të cilat duhet ti regjistrojnë në emrin e tyre. Në këto kushte inxhinierja jonë i ka drejtuar në zyrë noteriale, sepse ata nuk e njohin sistemin. Pas aplikimit, klienti ka marrë përgjigjen. Mënyra sesi është shprehur Kadastra nuk kuptohet as nga noterët as nga studio jonë. Ne nuk dimë çfarë dokumentesh duhet të plotësojmë, sqaron Xhemollari për “Vizon Plus”. Kjo është një nga format se si institucioni i kadastrës kthen përgjigje, të cilat nuk i japin zgjidhje aplikimit, përkundrazi zvarrisin më tej procedurën. Nëse do të kishte një sportel fizik, aplikanti do të informohej lidhur dokumentet shtesë dhe do të kursente kohë dhe para. Por cili është efekti, që sjell paqartësia e shkresave nga zyra e kadastrës? Paqartësitë në komunikimin me zyrat e kadastrës janë shtuar edhe më shumë pas kalimit në sistemin online të të gjitha procedurave. Por rasti në fjalë tregon se nuk është vetëm sistemi problem, por janë dhe punonjësit që hartojnë shkresa jo profesionale, duke u kthyer në një barrë për qytetarët.

Tregu imobilar
Por kolapsi që ka shkaktuar Kadastra digjitale ka prekur edhe tregun e pasurive të patundshme. Prej më shumë së një muaji transaksionet janë bllokuar, pasi kadastra nuk shqyrton aplikimet. Edhe në rastet kur shqyrtohen, afatet janë trefishuar. Në këtë mënyrë Kadastra po godet edhe një tjetër sektor siç është Real Estate, që tre vitet e fundit është kthyer në një kontributor me rëndësi në rritjen ekonomike. “E vërteta është se ka një bllokim të transaksioneve në tregun e pasurive të patundshme për shkak të kalimit në sistemin digjital. Ky nuk është perceptim ynë, por reagimi i gati 500 anëtareve dhe zyrave në të gjithë vendin. Dikur me shërbimin e përshpejtuar merrnim përgjigje për 24 orë, sot ky shërbim merret për 10 ditë. Një dosje e shit-blerjes së një prone merrte maksimumi një muaj kohë për tu mbyllur, sot merr tre muaj. Pra janë trefishuar afatet në tregun tonë vetëm nga kadastra, shprehet Reainal Pipiria, drejtor i shoqatës së agjenteve imbobiliarë. Agjentet imobiliarë thonë se nëse situata vijon me këto ritme, atëherë tregu nuk do të arrijë shifrat e pritshme, duke sjellë efekt zinxhir në të gjithë hallkat dhe ky dëm vjen vetëm nga Kadastra. Tregu në 6-mujorin e parë po performonte mirë dhe ne kemi bërë parashikimet tona se volume i transaksione do të arrinte ne 1.3 apo 14 miliardë lekë, ndërsa blerjet nga të huajt do të arrinin ne 400 mln euro, këto shifra nuk janë më reale, vijon më tej Pipiria. Ngërçi më i madh ndihet në këto muaj vere në zonat bregdetare, aty ku emigrantet, diaspora dhe të huajt kanë një interesim të shtuar për shit-blerje pronash. “Të gjitha këto vonesa ulin besueshmërinë e vendit tonë se jemi një vend idelal për të investuar në pasuri të patundshme. Pikë së pari për emigrantët, por dhe për shqiptarët e diasporës që janë kthyer këto muaj verë me qëllim investimi. Mbi të gjitha vonesat japim një impakt negativ dhe tek të huajt interesimi të cilëve në këto muaj vere është edhe më i lartë”, nënvizoi Reainal Pipiria për “Vizion Plus”.

Reagojnë noterët
Mirëpo ky realitet shqetësues konfirmohet nga edhe shifrat e aplikimeve nga zyrat e noterëve, si hallka kryesore mes qytetarit dhe kadastrës. “Mund t’ju konfirmojë që nga data 1 korrik e deri në 10 gusht janë kryer 5655 aplikime, por vetëm 1300 prej tyre kanë marrë përgjigje. Shifrat nuk janë pozitive, por ne themi se jemi në fazën e parë të këtij proces dhe shpresojmë se situata do të ndryshojë në vazhdim. Ndërkohë që ka një ecuri më pozitive aplikimet me procedurë të përshpejtuar, të cilat kushtojë edhe më shumë”, sqaroi Fatmir Lacej nga Dhoma Kombëtare e Noterëve për mikrofonin e “Vizion Plusit”. Sistemi i ri i miratuar parashikon që një aplikim në Tiranë mund të shqyrtohet nga një zyrë kadastre e një tjetër qyteti, duke shmangur kështu mundësinë e korrupsionit. Por pavarësisht qëllimit pozitiv të këtij sistemi, noterët thonë se, që revolucioni digjital të ketë sukses, duhet që zyrtarët të mbajnë përgjegjësi deri në ndjekje penale. Sipas noterëve, duket se është kthyer në praktikë pune që për një aplikim të kërkohen dokumente shtesë të panevojshme duke i zvarritur procedurat pa limit.

Bllokohen bankat
Ndërkohë pas noterëve edhe sistemi bankar shprehet i shqetësuar se Agjencia Kombëtare e Kadastrës ka bllokuar kredidhënien. Sipas të dhënave gjatë muajit korrik, bankat nuk kanë mundur të miratojnë kredi të reja. Shkak është bërë mos kthimi i përgjigjeve nga kadastra për aplikimet që qytetarët bëjnë për pronat që kërkojnë t’i vendosin si garanci për huadhënien. “Në praktikë është vërejtur një bllokim jo tërësor, pasi procedurat e shpejta dhe me kosto më të lartë kanë funksionuar. Por eficenca është kaq e ulët sa 1 në 5 aplikime merr përgjigje. Kjo na shqetëson dhe na kanë vënë në vështirësi ne si sistem bankar. Të gjitha aplikimet e reja të korrikut por dhe ato të mbartura nga qershori për kredi me kolateral nuk ka marrë udhë, pasi pronat as bllokohen as regjistrohen, duke krijuar ngërç për ne”, shprehet Spiro Brumbulli, Sekretar i Shoqatës së Bankave. Po ashtu, zoti Brumbulli thekson se post kthimi i përgjigjeve në kohë nga ana e kadastrës ka një dëm të konsiderueshëm jo vetëm për bankat, por për ekonominë në tërësi. Në një muaj sistemi bankar mesatarisht jep kredi të re 18-22 miliard lekë. “Bankat kredidhënien e kanë fokus kryesor të punës së tyre. Kjo do të thotë se ne në një muaj nuk i kemi dhënë ekonomisë 18 miliard lekë, duke përjashtuar ato kredi konsumatore të cilat nuk kanë nevojë për kolateral. Pjesa dërrmuese e huadhënies jepet me garanci ndaj dhe për ne komunikimi me kadastrës është i rëndësishëm”, vijon më tej Brumbulli. Ndërkaq noterët, por dhe bankat ankohen për indiferentizmin që po tregon institucioni i kadastrës përballë kësaj situate. :Ka një indiferentizëm nga ana e kadastrës. Pavarësisht një komunikimi që ne kemi patur, duke i shprehur shqetësimin e tonë, ajo që vërejmë është se nuk ka një përgjigje prej tyre. Pra ne duam të dimë sa do të zgjasë kjo situatë, kur do të marrin udhë aplikimet, cilat do të jenë afatet e reja të shqyrtimit të aplikimeve”, nënvizoi Brumbulli. Kujtojmë se nga muaji maj 2022 qeveri vendosi të ofrojë 90% të shërbimeve publike online, duke e konsideruar këtë vendim si revolucion digjital në çështjen e pronave. Por deri më tani, shifrat tregojnë se zyrat e Kadastrës kanë dështuar ta meritojnë këtë emër.

Box 1
Drejtoresha e re e Kadastrës Shqiptare, Dallëndyshe Bici ka reaguar dje për herë të parë pas sulmeve, akuzave dhe denoncimeve se sistemi i Kadastrës është zhytur në një kolaps të plotë, teksa zyrtarë në këtë institucion po japin dorëheqjen. Bici pranon problematikat si vonesa dhe ngërçe, por thotë se gjithçka është në kuadër të një “riinxhinierimi” që do e shkëpusë Kadastrën nga historitë e mitmarrjes dhe korrupsionit. Në një reagim në rrjetet sociale, Bici drejton gishtin nga ata që i quan “grupe interesi” dhe thotë se dëshirojnë dështimin e Kadastrës

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN