Dyshime mbi të ardhmen e Robert Lewandowski-t. Duket se Barcelona po mendon seriozisht për një shitje të mundshme të yllit polak. Dyshimet janë krijuar nga rendimenti i sulmuesit, i cili ka zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë të sezonit vitin e kaluar, por ka pësuar një rënie në gjysmën e dytë.
13 gola në 15 ndeshjet e para dhe 10 gola në 23 ndeshjet e tjera të La Liga-s duket se nuk e kanë ngrohur klubin blaugrana. Edhe sezoni 2023/24 nuk ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme, me polakun dhe Barçën që nuk kanë shkuar dot më larg se një barazim pa gola kundër Getafe-s.
E gjitha kjo mund ta shtyjë klubin që të marrë në konsideratë shitjen e lojtarit, për të cilin duket se është caktuar një çmim prej 25 milionë eurosh. Një mundësi e artë për klubet arabe, që ndjekin me kujdes të gjithë yjet e futbollit europian. Sikur të mos mjaftonte kjo, në merkaton e verës klubi blaugrana ka bërë një investim të madh për sulmuesin e së ardhmes.
Bëhet fjalë për Vitor Roque, talent brazilin i blerë nga Athletico Paranaense për 40 milionë euro, shumë që mund të dyfishohet nëse arrihen disa objektiva të caktuar. Megjithatë, i riu nuk do të jetë në Camp Nou para janarit dhe Robert Lewandowski mund të përfitojë nga kjo periudhë për të përforcuar pozicionin e tij brenda skuadrës gjithnjë nëse qëndron.