MENU
klinika

Partizani për miliona dhe histori

Ekipi i kuq sheh nga sezoni 2016-2017

10.08.2023 - 13:23

Partizani luan sot në orën 19:00 sfidën e parë të turit të tretë të Ligës së Konferencës ndaj Valmierës. Të kuqtë vijnë pas dy fitoreve me skuadrën nga Andorra, Atletik Eskaldes. Në këto përballje ndaj letonezëve, të kuqtë kërkojnë paratë dhe historinë. Nëse i bëjmë një rezyme historisë së Partizanit në Europë, kulmi është në sezonin 2016-2017, ku nuk shkuan si kampionë, por përfituan nga dënimi i Skënderbeut dhe nga turi i parë i Ligës së Europës, kapërcyen menjëherë në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, çka përbënte një rast të paprecedentë në histori.

Gjithsesi, Partizani nuk zhgënjeu aspak dhe shkroi rrugëtimin më të artë europian në historinë e klubit. Të kuqtë patën përballë gjigantët e Ferencvaroshit, por nuk u trembën. Në ndeshjen e parë shënuan të parët me Filin, por u barazuan. Gjithsesi, në Hungari ia dolën të marrin një tjetër barazim 1-1 dhe e çuan lojën deri në goditjet e penalltive. Skuadra në ato ndeshje drejtohej nga Adolfo Sormani. Në “ruletën ruse” në skenë u shfaq lideri Alban Hoxha, i cili do të mbahet mend për penalltitë e pritura, por edhe për realizimin me “panenka” të 11- metërshit të tij, duke eliminuar thuajse i vetëm gjigantët hungarezë.

Pikërisht kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit, që Partizani ka shkuar në “play off” të një kompeticioni europian. E tashmë të kuqtë do të kërkojnë të përsërisin historinë, madje të regjistrojnë edhe një tjetër rekord, dy kualifikime radhazi, një sukses, që nuk është shijuar asnjëherë në historinë europiane të të kuqve. Ndërkohë, një sfidë personale ka edhe Cara, që kërkon të thellojë rekordin si golashënuesi historik i Partizanit në Europë, por edhe të arrijë Indrit Fortuzin si goleadori më i madh shqiptar në Europë, me 10 gola. Cara deri më tani ka 6 të tillë.