Kisha e Shën Mërisë në Elbasan është një nga kishat më të vjetra ortodokse në Shqipëri. Ajo u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit të XIII në lagjen “Kala” të këtij qyteti.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka zgjedhur që sot përmes një postimi në rrjete sociale të ftojë qytetarët që ta vizitojnë dhe të mësojnë më shumë rreth historisë së rrallë të kësaj kishe që i rezistoi të gjithë kohërave.
POSTIMI I PLOTË I MINISTRES KUSHI
Kush vjen në Elbasan nuk mund të lërë pa vizituar Kishën e Shën Mërisë në lagjen “Kala”, si një nga kishat më të vjetra ortodokse në Shqipëri, e cila daton që në gjysmën e dytë të shekullit XIII.
Kjo kishë me vlera unike arkitekturore dhe etnokulturore i ka rezistuar jo vetëm regjimit komunist, por edhe shumë më herët pushtimit osman. Në atë periudhë banorët e lagjes i dërguan një kërkesë Portës së Lartë që kisha të mos prishej. E si rrallëherë në historinë e saj, Porta e Lartë e vlerësoi këtë kërkesë, me kushtin që kulla e kambanës të mos ishte më e lartë se minaret e xhamive të qytetit.
Dhe kisha nuk u shemb, mbijetoi brez pas brezi, kapërceu sfida nga më të vështirat dhe sot është një nga krenaritë më të mëdha të qytetit, një vend i shenjtë për të gjithë besimtarët, por edhe një atraksion turistik që lë mbresa të paharruara tek çdo vizitor.