MENU
klinika

Analiza

“Era e një lufte të madhe” po ndihet në Rusi…

01.08.2023 - 10:33

“Era e një lufte të madhe ka nisur të ndihet”. Kështu njoftoi Andrej Kartapolov, kreu i komitetit të mbrojtjes së Dumës, referuar një ligji të ri rus, që mesa duket do të shënojë një “kthesë drastike” në luftën me Ukrainën. Parlamenti rus po nxiton të miratojë një ligj të ri që do t’i lejojë Vladimir Putinit dhe Kremlinit të dërgojnë disa qindra mijëra njerëz të tjerë për të luftuar kundër Ukrainës. Megjithëse presidenti rus dukej se kishte mbetur “në një cep”, teksa ushtria ukrainase po rimerrte gradualisht tokën e pushtuar nga agresori dhe po fillonte të ishte në gjendje të godiste thellë në territorin e armikut, madje edhe në Kremlin, duket se Putini nuk ka paqe në mendjen e tij. Për momentin, Perëndimi mbetet i bashkuar në mbështetjen e tij për Kievin, dhe rebelimi i organizuar së fundmi nga Wagner, jep shpresë se “makineria luftarake” e Kremlinit së shpejti do të prishet. Por nga këndvështrimi rus, gjërat padyshim duken krejtësisht ndryshe.

Lufta e zgjatur

“Në Kremlin, ata besojnë se mund të përballojnë një luftë të zgjatur”, shkruan media brianike “Financial Times”, duke shtuar se  parashikohet që ekonomia ruse të shënojë rritje modeste këtë vit, kryesisht për shkak të punës së vazhdueshme të fabrikave ushtarake, të cilat marrin komponentë kritikë si mikroçipet nga Kina, dhe nga burime të tjera. Pavarësisht sanksioneve, Kremlini ka ende shuma të mëdha parash në dispozicion, energjia u solli atyre fitimin më të madh, dhe përshtatshmëria e eksportuesve të mallrave rusë, të cilët gjetën klientë të rinj dhe kryenin pagesat kryesisht në juan kinez, ndihmoi. Dhe nëse presionet buxhetore bëhen më të mprehta, banka qendrore e Rusisë mund të zhvlerësojë rublën, duke e bërë më të lehtë pagesën e ushtarëve, punonjësve të industrisë së mbrojtjes dhe forcave të sigurisë së brendshme, të cilat e mbajnë elitën dhe publikun e Rusisë nën represion dhe në përputhje me politikat e Putinit.

Mobilizimi i përgjithshëm

Sa i përket vetë luftës, duket se Kremlini nuk është shumë i shqetësuar nga kundërofensiva e Ukrainës. Putini ende mbështet në faktin se Rusia mund të mobilizojë tre deri në katër herë më shumë fuqi punëore se Ukraina. Dhe ligji i ri duhet të ndihmojë Kremlinin të shmangë një mobilizim tjetër zyrtar, pra, qeveria ruse tani mund të dërgojë në heshtje thirrje rekrutimi për aq njerëz sa ata e konsiderojnë të nevojshme. Kufiri i sipërm i moshës për kryerjen e mandatit do të rritet nga 27 në 30 vjeç, por ka vend për ndryshime në të ardhmen. Pasi të lëshohet një njoftim elektronik i mobilizimit, kufijtë e Rusisë do të mbyllen menjëherë, për të parandaluar një tjetër eksod masiv të burrave të aftë për punë. Janë ashpërsuar edhe gjobat për refuzimin e shërbimit ushtarak. Këto lëvizje, të kombinuara me një investim të madh shtetëror në zgjerimin e prodhimit të armëve, do ta ndihmojnë Putinin të ndërtojë një ushtri më të madhe dhe më të pajisur.

“Fiksimi” i Putinit

Në të njëjtën kohë, Rusia vazhdon të punojë për të “mbytur” ekonominë ukrainase duke i mohuar të gjitha burimet e të ardhurave. Moska jo vetëm që u tërhoq nga marrëveshja e grurit, e cila lejoi eksportet e bujqësisë ukrainase nëpër Detin e Zi, por gjithashtu nisi sulme masive ajrore në portet e Ukrainës për të shkatërruar çdo mundësi të “ringjalljes” së marrëveshjes në fjalë. Për më tepër, sulmet e ashpra ndaj infrastrukturës civile ukrainase vazhdojnë pa u ndalur, duke synuar t’i bëjnë qytetet të pabanueshme dhe të pengojnë përpjekjet për rindërtim. Sipas “Financial Times”, Kremlini shpreson se duke rindërtuar shpejt ushtrinë ruse dhe duke shkatërruar ekonominë dhe forcat e armatosura të Ukrainës, ai do të zvogëlojë mbështetjen e Perëndimit për Kievin. Për të përshpejtuar këtë proces, Moska përdor me mjeshtëri kërcënimet e përshkallëzimit, duke përfshirë përhapjen e konfliktit drejt territorit të NATO-s përmes Bjellorusisë. “Putini ka bërë shumë gabime fatale, por për sa kohë që ai është në krye të Rusisë, Moska do t’i kushtojë burimet e saj ende të mëdha për realizimin e obsesionit të tij me shkatërrimin dhe nënshtrimin e Ukrainës”, përfundon “Financial Times”.