Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë është larguar dje me traget nga Vlora për në vendin e saj. Shefja e qeverisë italiane mbërriti katër ditë më parë në qytetin e Vlorës, bashkë me familjen e saj, dhe pushuan në bregdetin e kristaltë të jugut.
Kryebashkiaku socialist Ermal Dredha ka ndarë një fotografi me Melonin, para se trageti të nisej nga Vlora, dhe e falenderon atë që zgjodhi Vlorën dhe jugun e vendit për të pushuar.
“Turistja e nderit” e la Vlorën me përshtypje fantastike! Faleminderit Kryeministre Meloni dhe je gjithmonë shumë e mirëpritur në Vlorë”, shkruan kryebashkiaku dhe ndan fotografinë me shefen e qeverisë italiane.
Më herët, dje në Vlorë ka qenë dhe kryeministri Edi Rama i cili ka qëndruar në një nga baret në qendër të qytetit, për 90 minuta, me homologen italiane dhe familjen e saj. Në fillim të javës, Giorgia Meloni mbërriti me traget në Vlorë dhe zgjodhi të pushonte në jug.