Policia e kryeqytetit bën me dije se janë identifikuar dhe janë vendosur nën hetim 14 tifozë të Tiranës dhe Besiktas, pas skenave të dhunës, para dhe pas ndeshjes që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes në “Air Albania”. 11 tifozë turq janë identifikuar nga policia, teksa 3 janë tifozët e Tiranës që shkaktuan trazira në përballjen e Conference League.
Veç grushtave dhe sherrit mes tyre pas ndeshjes, tifozët kanë dëmtuar edhe një makinë të parkuar në rrugë. Forcat e rendit kanë sekuestruar mjetet e forta dhe ato piroteknike, teksa materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Prishën qetësinë publike duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, si dhe dëmtuan 1 automjet, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, procedohen penalisht 14 shtetas, tifozë të këtyre skuadrave.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasit:
-T. K., 30 vjeç, H. A., 30 vjeç, Y. T., 26 vjeç, F. K., 25 vjeç, V. A., 25 vjeç, T. K., 25 vjeç, A. A., 34 vjeç, O. S., 25 vjeç, A. U., 27 vjeç, S. O., 28 vjeç, të gjithë banues në Turqi;
– C. K., 37 vjeç, banues në Gjermani;
– I. P., 22 vjeç, si dhe për dy shtetas të mitur 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Këta shtetas, ditën e djeshme, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, në rrugën “Abdi Toptani”. Gjatë konfliktit mes këtyre shtetasve, kanë mbetur të dëmtuar lehtë shtetasit T. A., 28 vjeç, dhe V. M., 47 vjeç.
Gjithashtu, gjatë konfliktit ndërmjet tyre, është dëmtuar 1 automjet i parkuar në parkingun e një hoteli.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sende të forta të përdorura gjatë konfliktit dhe lëndë piroteknike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.