MENU
klinika

Emrat

Kërkuan ndryshim mase, Apeli i Posaçëm lë në qeli të arrestuarit e “Metamorfozës”

31.08.2023 - 11:06

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka miratuar masat “arrest me burg” për personat e arrestuar nga operacioni “Metamorfoza”.

Është lënë në burg Pëllumb Gjoka, Xhevahir Lita, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Kukësit, Oltion Bistri, ish-shefi Operacionales dhe mbajtës i gradës Drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit, ish-efektivi Ardit Hasanbegaj dhe Edmond Preka, shoferi i Gjokës.

Në lidhje me këtë foli dhe avokati i Pëllumb Gjokës, Ylli Manjani, i cili tha se nuk ka prova dhe se beznesmeni po mbahet pa prova në burg. Ai tha se drejtësia duhet të vijojë hetimet, por pa e mbajtur në burg Gjokën.

“Gjykata nuk arrin të jetë në nivelin e kolegeve në perëndim. Drejtësia nëse do të hetojë le të hetojë, mbajtja në burg gjatë hetimit nuk është standart.Pëllumb Gjoka nuk ka një akuzë zyrtare. Nuk është i pandehur është persona në hetim.

Nuk bëj dot teori konspiracioni, nuk i ushqej dot konspiracionistët me teori. Atë që “nuk keni parë akoma” është standarti i ulët i marrjes në përgjegjësi penale”, u shpreh ai.

Kujtojmë se më 27 korrik aplikacionet “Sky” dhe “Encro” nxorën zbuluar zyrtarë të lartë shtetërorë dhe eksponentë të krimit të organizuar pjesë e të cilëve u arrestuan me urdhër të SPAK. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish drejtuesi i Grupit të Operacionales Olti Bistri, ishin ndër të arrestuarit.

Ndërkohë, i shumëkërkuari i drejtësisë Ervis Martianj dhe Behar Bajri në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim pasi akuzohen se janë pjesë e këtij grupi kriminal. Dyshohet që ky grup kriminal është përfshirë në vepra penale të vrasjes dhe urdhërimit të tyre, pastrimit të parave dhe lojërave të fatit.

E plotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 31.08.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 38 akti, datë 22.08.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim P.Gj., Xh.L., E.P., A.H., O.B., ndaj vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 dhe nr. 97, datë 29.07.2023 (në lëndë të masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin P.Gj.

– Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin Xh.L.

– Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin A.H.

– Miratimin e vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin E.P.

– Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari O.B. dhe mbrojtësi i tij, ndaj vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.