Prej tri ditësh vatra të shumta zjarri janë përhapur në fshatin Arëz të Kolonjës, fshat që ndodhet në kufi me Greqinë.
Deri tani janë djegur plotësisht 7 hektarë me pyje ahu, pishe, dushku si dhe bimësi më të ulet përfshi edhe ato medicinale.
Gjatë këtyre ditëve punonjës të shërbimit zjarrfikës, policia e rendit dhe ajo kufitare si dhe shërbimi pyjor janë duke punuar për izolimin e flakëve të zjarrit, që të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta përhapen me shpejtësi.
Nga ana tjetër terreni malor e vështirëson ndërhyrjen me mjete të shërbimit zjarrfikës ndaj dhe për këtë të gjitha forcat, përfshi këtu dhe banorë, janë duke punuar për hapjen e brezareve për të mos lejuar përhapjen e zjarreve në zona të tjera të masivit pyjor.
Ekspertët e shërbimit pyjor dyshojnë se zjarri ka qenë i qëllimshëm.