MENU
klinika

Beqaj do rimerret në pyetje

Kontrata e sterilizimit “u zhduk” nga arkiva e Ministrisë së Shëndetësisë, SPAK pas dy ditësh: E gjetëm

22.08.2023 - 08:29

lir Beqja është vendosur të thirret sërish për të dëshmuar. Ky fakt ka dalë ditën e djeshme nga vetë Prokuroria e Posaçme që ka në duar dosjen e koncesionit të ‘sterilizimit’ prej afro tre vjetësh dhe që veprimet konkrete u zhvilluan vetëm pak ditë më parë.

Beqja do të ripyetet konkretisht për rolin e tij të dalë në lidhjet miqësore mes dy biznesmenëve, ndërkohë që Gjykata e Posaçme edhe kërkoi që hetimet të orientoheshin edhe në anën e të gjithë praktikës së ndjekur nga vetë ish-ministri si titullari i institucionit ku janë kryer veprimet.

Po ndërkohë që në pranga janë vendosur vartësi i asaj kohe i Beqjas dhe biznesmeni që përfitoi koncesionin, SPAK ditën e djeshme ka treguar se ka gjetur kontratën origjinale të sterilizimit. SPAK, në fakt, ditën e shtunë bëri me dije zyrtarisht se në sekuestrimin e dokumentacionit të bërë 3 vjet më parë në ministrinë e Shëndetësisë nuk ishte kjo kontratë, por dje treguan se kontratën e kishin gjetur nëpër institucionet e tjera, por pa treguar se në çfarë godine ka qenë e lënë kjo kontratë.

DOSJA

Zhvillime të reja janë bërë me dije për dosjen e koncesionit të sterilizimit që po hetohet nga SPAK, teksa ndodhen pas hekurave një ish-zv.ministër Shëndetësie dhe një biznesmen. SPAK do të rimarrë në pyetje ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, në lidhje me udhëtimet me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe Umbro Staçini. Ende nuk është vendosur se kur do të thirret për t’u ripyetur ish-ministri, pasi GJKKO orientoi SPAK të hetonte rreth rolit të tij. Dje ishministri deklaroi se të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale dhe vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicie për fajësi.

Udhëtime dhe njohje të mëparshme deri në dhënien e një koncesioni me vlerë 100 milionë euro janë në brendësi të dosjes së Prokurorisë së Posaçme për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Në dosjen thuhet se Ilir Beqja, atë kohë ministër i Shëndetësisë, dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe administratori i shoqërisë koncesionare Sani Service kanë kryer udhëtime së bashku. Ashtu siç zbulohen edhe udhëtimet e ishzv.ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj me biznesmenin Rrapaj.

Gjatë hetimeve paraprake, më datë 15 nëntor 2021 është bërë këqyrje e sistemit TIMS për të dhënat e shtetasve Ilir Rrapaj, administrator i Investal, Klodian Rjepaj, kryetar i Komisionit të procedurës së komisionit të dhënies së Koncesionit, Umbro Staccini, shtetas italian, administrator i Tecnosanimed dhe një nga aktorët kryesorë të Koncesionarit Sani Service, Ilir Beqja, titullari i Autoritetit kontraktor dhe Admir Daca, administrator i Sani Service.

Nga procesverbali, u vërejtën edhe hyrjet dhe daljet e këtyre personave nga territori i Republikës së Shqipërisë ku rezultoi se:

Shtetasit Ilir Rrapaj, Ilir Beqja dhe Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas, nga Italia, më datë 15 qershor 2014 përkatësisht në orën 21:12, 21:14 dhe 21:10.

Nga këqyrja e të dhënave nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rezulton se më datë 15 qershor 2014 është bërë postim mbi takimet e kryera nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj më datë 13 qershor 2014. Kjo periudhë përkon me veprimet përgatitore të Koncesionit.

– Shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepja kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Romë, në datë 26 mars 2015, përkatësisht në orën 16:34 dhe 16:25 (kjo periudhë përkon me shpalljen e njoftimit të tenderit brenda afatit të dorëzimit të ofertave).

Për këtë udhëtim Klodian Rjepaj, ka marrë “autorizim për shërbimin jashtë vendit”, datë 18 mars 2015 për të marrë pjesë në një vizitë pune në rajonin e Umbrias, Itali, për takime zyrtare me autoritetet e larta shëndetësore të rajonit në zbatim të marrëveshjes midis rajonit të Umbrias dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kemi gjetur edhe kontratën origjinale të ‘Sterilizimit’”

SPAK, ditën e djeshme (21 Gusht) ka bërë një sqarim për kontratën e koncesionit të sterilizimit. Kontrata është gjendur në institucione të tjera dhe jo në Ministrinë e Shëndetësisë. Nisur nga lajmi i bërë publik dy ditë më parë se skandali shkon edhe më tej kur rezulton se në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka një kontratë origjinale të këtij koncesioni.

Në dosjen e SPAK-ut thuhet se në datën 8 tetor të vitit 2021 është marrë vendimi i sekuestrimit të dokumenteve të këtij investimi partneritet publik-privat.

“Origjinali nuk u gjet në Ministrinë e Shëndetësisë. Disponojmë kontratën origjinale të koncesionit të sterilizimit. Kontrata origjinale u gjet në institucione të tjera. Origjinali është edhe në institucione të tjera. Kotrata origjinale u sekuestrua tek koncesionari”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

NJOFTIMI I SPAK

“Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncesionit dhe as anekset përkatëse. Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me shkresën numër 910/1, datë 19 shkurt 2020”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Koncesioni i sterilizimit në duart e prokurorëve të SPAK

Çfarë është tenderi që mban firmën e ish-ministrit Ilir Beqaj