Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviç ka reaguar lidhur me një deklaratë të bërë më herët nga kryeministri Albin Kurti i cili gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë, ndërsa veçoi Serbinë.
Petkoviç tha se Kurti ka udhëtuar në Maqedoninë e Veriut për të nxitur strukturat më ekstreme politike të shqiptarëve në atë vend dhe për të promovuar projektin fashist të të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe.
“Duke e shpallur veten si mentor politik dhe ideologjik i atyre që do të destabilizonin dhe ndanin Maqedoninë e Veriut, Kurti e shtriu misionin e tij luftarak nga Kosova dhe Metohia në territoret përreth, të cilat ai i konsideron si pjesë përbërëse të projektit të tij të çmendur të shtetndërtimit të Shqipërisë së Madhe”, deklaroi Petkoviç, dhe Zyra për KiM.
Petkoviç u bëri thirrje të gjithëve në Maqedoninë e Veriut që të mos i nënshtrohen propagandës dhe retorikës luftarake të Albin Kurtit, por të vazhdojnë ndërtimin e shtetit të begatë të Maqedonisë së Veriut, shkruajnë mediat serbe.
“Çfarë duhet tjetër që sponsorët e Kurtit në bashkësinë ndërkombëtare të vijnë në vete dhe të kuptojnë se po vëzhgojnë një përbindësh, i cili nëse nuk ndalet do të ndezë një valë të re konflikti dhe shkatërrimi në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Petkoviç.
Ai shtoi se përmes iniciativës Ballkani i Hapur dhe në të gjitha mënyrat e tjera, Serbia do të vazhdojë të ndërtojë ura bashkëpunimi miqësor me të gjithë ata që kujdesen për rajonin tonë përgjithmonë duke lënë pas epokën e errët të ndarjeve dhe konflikteve ndëretnike dhe duke hyrë në rrugën e zhvillimin dhe progresin.