MENU
klinika

Plagosi gruan e djalin dhe nuk iu dorëzua policisë

Maliq, 62-vjeçari ekzekutohet nga RENEA

12.08.2023 - 09:59

Ramiz Muçollari është ekzekutuar në banesën e tij nga forcat RENEA të cilët kishin shkuar për ta arrestuar pasi mbrëmjen e djeshme kishte plagosur gruan e djalin dhe refuzonte të dorëzohej.

Për më shumë se 8 orë – gjatë natës duke vijuar sot në mëngjes – banesa e 62 vjeçarit në fshatin Qesarakë të Maliqit ka qenë e rrethuar nga forcat të policisë së Korçës dhe Maliqit dhe RENEA-s e cila kishte shkuar në ndihmë. Ndaj tyre është qëlluar disa herë me armë zjarri, mitraloz të lehtë megjithëse policia i bënte thirrje dhe negocionte për tu vetëdorëzuar.

Pas plagosjes së dyfishtë, 62 vjeçari u mbyll në banesë dhe nuk i’u përgjigj thirrjes së Policisë Vendore për t’u dorëzuar, por ka qëlluar me armë zjarri (mitraloz të lehtë) në drejtim të tyre. Në mëngjes forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. “Forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarte janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën” informoi policia e Korçës në njoftimin e saj të orës 09:00

Plagosi gruan dhe djalin

Policia kishte shkuar mbrëmjen e djeshme në banesën e 62 vjeçarit pasi kishte marrë informacion se burri kishte plagosur me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij, Pëllumbesha Muçollari 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij, Kamber Muçollari, 27 vjeç.

“Pas marrjes së këtij njoftimi, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin e dyshuar i cili është i armatosur me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale,” informoi policia sot në orën 07:30 minuta.

Përgjatë natës, Forcat Speciale “Renea”, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.

Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarte janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën.

Një fqinj i tha Report TV se të shtënat kishin dëgjuar natën dhe kishin vijuar edhe në mëngjes. Rreth orës 08:30 minuta u mësua se forcat RENEA kishin arritur të hynin në katin e dytë të banesës ku 62 vjeçari ishte i fshehur në papafingo.

Policia thotë se Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikaitrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.

Operacioni për kapjen e tij, po vijon. Mësohet se bashkëshortja, Pëllumbesha Muçollari, 58 vjeçe dhe djali i tij Kamber Muçollari janë në spital jashtë rrezikut për jetën.