Dy persona janë vënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin transportonin me 3 automjete emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesave për secilin prej tyre.
Në kuadër të operacionit “Midnight 14”, u arrestuan Fatjon Dhimitri dhe Edison Kajo.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 14”.
Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit E. K., 28 vjeç dhe F. Dh., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. S., 36 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë dhe N. T., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin E. K., i cili transportonte me një automjet tip “BMË X5”, 7 emigrantë.
Gjithashtu, shërbimet konstatuan se dhe shtetasit R. S. dhe N. T. transportonin me një automjet “Tuareg”, që lëvizte pas automjetit të shtetasit E. K., 14 emigrantë. Sapo janë sinjalizuar për të ndaluar automjetin, të dy këta shtetas e kanë braktisur atë dhe janë larguar me vrap. Vijon puna për kapjen e tyre.
Në vijim të këtij operacioni, u kap dhe u vu në pranga edhe shtetasi F. Dh., i cili u konstatua teksa qarkullonte me një automjet tip “Volvo”, përpara 2 automjeteve të tjera, për të mbikëqyrur rrugën, me qëllim shmangien e patrullave të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet me të cilin lëviznin këta shtetas, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga transportimi i emigrantëve dhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.