Gjatë përkujtimit të përvjetorit të Stuhisë në Prijedor, ku morën pjesë përfaqësues të Serbisë dhe Republika Srpska, gjatë fjalimit të Milorad Dodik, u shfaq një foto që ishte bërë në Zhepa në vitin 1995.
Në profilin e Milorad Dodik në Twitter është publikuar kjo dhe foto të tjera. Pas tij në sfond është një foto e një gruaje me një fëmijë në prehër.
Mirëpo, nuk bëhet fjalë për gruan serbe dhe viktimën e Stuhisë, siç transmetojnë mediat lokale. Siç raporton “Vijesti.ba”, kjo foto është publikuar për herë të parë nga “AFP”, dhe autori është Joel Robin.
Fotografia në fjalë është bërë më 26 korrik 1995, pas rënies së Zhepës. Ndodhi kur civilët boshnjakë, në një kolonë të OKB-së, kaluan pikën e kontrollit pranë Kladnjes, pas evakuimit nga Zhepa. Historiani Adem Mehmedovic shkruan se një nga fotot e përdorura për të përfaqësuar Operacionin Stuhia, është në fakt një foto nga korriku i vitit 1995, pas rënies së Zhepa.
“Sipas informacioneve në foto është Sabina Mujkiç nga Zhepa”, ka shkruar Mehmedoviç në rrjetet sociale. “Vijesti.ba” thekson se nuk ishte vetëm Dodik që e bëri këtë. Të njëjtën fotografi e ka përdorur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Instagram.
Kujtojmë se ai mori pjesë të premten në një ceremoni përkujtimore në entitetin serb të Bosnjës për dhjetëra mijëra serbë që në vitin 1995 u larguan nga Kroacia pas një ofensive ushtarake kroate që shënoi fundin e luftës.
Gjatë operacionit “Stuhia”, i cili filloi më 4 gusht të vitit 1995, Ushtria kroate çliroi një pjesë të madhe të territorit që kishte qenë nën kontrollin e kryengritësve serbë që nga viti 1991. Në Banja Luka u mbajt dhe mbledhja e e përbashkët e dy qeverive.