Situata në Ballkan, si dhe ndikimi rus dhe dëshira për trazira në një rajon që s’di çfarë është qetësia ka tërhequr vëmendjen e mediave gjermane. “Rusia në Evropë mund të mbështetet në tre aleatë, në shtetin anëtar të BE-së Hungarinë, vendin kandidat Serbinë dhe në gjysmën e Bosnje-Hercegovinës nën kontrollin e serbëve të Bosnjës”, kështu ka shkruar “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Megjithatë, duket se të gjitha mediat gjermane janë treguar shumë të ashpra me presidentin serb kryesisht, duke i “vënë gishtin” për nxitjen e tensioneve në rajon. Sipas “Tageskeitung” të Berlinit, situata aktualisht është e rrezikshme në Ballkan, duke theksuar se edhe diplomatët perëndimorë, kryesisht ata amerikanë kanë peshën e vet të fajit. Ndërsa “Berliner Zeitung” shkruan se “faktori kyç” për paqe në rajon është pikërisht Gjermania.
Atmosfera në Serbi
Gazeta gjermane FAZ, përmes autorit Michael Martens, e quan Milorad Dodik “partnerin e vogël të Putinit në Banja Luka”, të mbështetur nga Moska, Beogradi dhe Budapesti. Megjithatë, sipas FAZ, “presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk është aq haptazi pro-rus sa ai”, duke kujtuar se Serbia mbështeti rezolutën kundër pushtimit rus të Ukrainës, por nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. “Masmedia në vend prej vitesh po bombardon popullsinë me një breshëri antiperëndimore, në të cilën Rusia dhe Kina paraqiten si miq të vërtetë të Serbisë. Kjo ka efekt. Ndryshe nga disa vite më parë, shumica e popullsisë së Serbisë tani është kundër hyrjes në BE”, shkruan FAZ. Gazeta e Frankfurtit, megjithatë, ilustron ndryshimin e atmosferës në 10 vitet e fundit. Sipas sondazheve, Putin është politikani i huaj më popullor në vend.
Diplomacia e dështuar
Sakaq, situata në Ballkan ka tërhequr edhe vëmendjen e “Tageskeitung” të Berlinit, autori i së cilës, Erich Ratfelder, thotë se “BE dhe SHBA duan të fitojnë mbi nacionalistët serbë me një politikë mirëkuptimi”, e cila, sipas tij, është një “drejtim i rrezikshëm”. Duke kujtuar se për SHBA-në, Marrëveshja e Paqes e Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën e vitit 1995 përfaqëson suksesin e diplomacisë amerikane, gazeta shkruan se “tani diplomatët amerikanë që punojnë në Ballkan po luajnë bizhoz me atë trashëgimi”. “Ata e injorojnë faktin që ajo më parë, nga viti 1991 e tutje, përjetoi një dështim të madh”, shkruan “Tageskeitung”. Megjithatë, autori thekson se disa parlamentarë tani “janë zgjuar” dhe po bëjnë thirrje për parandalimin e përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe Bosnje.
“Zona e nxehtë”
Gazetari gjerman thekson në mënyrë specifike se fokusi i debatit është në rrethin Brçko, i cili ndan RS në dy pjesë. “Rajoni i Brçkos është pika numër një strategjike në Ballkan. Kjo është arsyeja pse serbët duan të kontrollojnë Brçkon me të gjitha forcat e tyre dhe ushtria perëndimore gjithashtu e kuptoi këtë”, thuhet në tekst. Gazeta kujton se në atë vend u dërguan njësi të reja Eufora, por se ajo do të menaxhohet nga oficerë hungarezë, e cila është “si një dhi që bëhet kopshtar”. “A dëshiron vërtet Berlini t’ia besojë politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së në Ballkan diplomatëve të SHBA-së, BE-së dhe Viktor Orbán-it”, pyet autori Erich Rutfelder.
Strategjia e Hasburgëve
Sakaq, siç shkruan Muamer Becirovic, për gazetën tjetër gjermane “Berliner Zeitung”, “i vetmi vend që mund të vendosë rendin në Ballkan është Gjermania, e cila është deri tani partneri tregtar më i rëndësishëm i Kroacisë, Bosnjës dhe Serbisë, dhe gjeografikisht është vetëm disa qindra kilometra larg”. “Gjermania duhet të tërheqë Evropën Lindore në anën e saj nëse dëshiron të arrijë dominimin në Evropë, dhe kjo përfshin Ballkanin”, shkruan Becirovic, duke rikujtuar strategjinë e Habsburgëve për Ballkanin të vitit 2010. Për të balancuar Beogradin, Sarajeva duhej të lidhej më fort me Zagrebin austriak. “Fuqia gjermane, nevojitet për të vendosur rregull në rajon. Nëse Berlini do të sundonte, rendi do të ishte i arritshëm dhe paqja mund të kthehej në Ballkan, për herë të parë në historinë e tij”, thuhet ndër të tjera në artikull.