Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje, pas arrestimit të dy zyrtarëve të kësaj ministrie dhe një afaristi nën dyshimin për keqpërdorime me furnizim të Rezervës Shtetërore.
Ministrja Hajdari në konferencën për media theksoi se s’ka as dyshime për zyrtarët e ndaluar për 48 orë të premten nga policia.
“Sa i përket dorëheqjes time, nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe siguri të plotë dhe nuk shoh asnjë arsye dhe thjesht dyshim te zyrtarët të cilët janë të ndalur sot”, theksoi Hajdari.
Ministrja Hajdari theksoi po ashtu se kërkesa e policisë për pranim-dorëzim të provave ka qenë në kundërshtim me ligjin.
Ajo foli edhe për përgjimet e publikuara të cilat i quajti audio-incizime nga vetë zyrtarët e MINT. Teksa shtoi se pas këtyre publikimeve ka pasur fyerje, shantazhe ndaj personalitetit të saj.