Pak ditë më parë, u bë me dije se do të hynte në fuqi një nen që flet për ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve që konstatohen, duke hedhur mbeturina apo edhe sende nga makinat në lëvizje.
Hedhja e mbetjeve në fakt është vendosur të konsiderohet si shkelje dhe sipas të dhënave, është fiksuar fakti se do të jenë efektivët e Policisë Rrugore ata që do ta marrin këtë tagër për të verifikuar dhe ndëshkuar “ndotësit”. Gjobat për hedhjen e një sendi nga makina variojnë nga 25 mijë deri në 10 mijë lekë, gjithnjë kur bëhet fjalë se konstatimi vjen nga efektivi i Policisë Rrugore. Në fakt kjo ndërhyrje në ligjin e qarkullimit u mendua si paketë nga ministria e Turizmit më herët dhe u vendos se edhe me këtë fakt do të merret policia rrugore. Por, kjo vlen vetëm për rrugët kryesore, atje ku gjenden të vendosur këta efektivë, herë për t’u kujdesur për trafikun e rënduar e herë për të ndëshkuar udhëtarët që konsiderohen shkelës të rregullores së qarkullimit.
SHKELJA
Policia Rrugore Tiranë është e vendosur për ndëshkimin e të gjithë drejtuesve dhe pasagjerëve që hedhin sende nga mjetet në lëvizje.
Kjo shkelje dënohet me gjobë nga 2.500-10.000 lekë sipas nenit 15/1, germa i, të Kodit Rrugor. Ky reagim vjen menjëherë pas shqetësimit të ditëve më parë të Kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet e tija sociale shkruante se, do të krijohet një paketë ndëshkimesh drastike ligjore për personat që hedhin mbeturina në rrugë. Rama theksonte se nuk do të lejohet se sjella e egër e një pakice të pacipë të dëmtojë Shqipërinë. Sipas tij, ndëshkimet do të ishin drastike për “plehraxhinjtë”.
REAGIMI I RAMËS
Gjatë gjithë këtyre javëve, Kryeministri Edi Rama është shfaqur si një zë i fortë promovues e lavdërues për sezonin turistik në vendin tonë. Por, në postimin e tij të të disa ditëve më parë, bërë në rrjetet sociale, apelon dhe kërkon ndërgjegjësimin e qytetarëve, se për të vijuar këtë trend të shkëlqyer turizmi, duhet të mos harrohet pastërtia e territorit.
“Rrugët e reja janë për të shkurtuar distancat, jo për t’u kthyer në vend-hedhje plehrash”, shprehet kreu qeverisë shqiptare.
Atë se çfarë është duke ndodhur me turizmin shqiptarë, kryeministri Rama e vlerëson si një kthesë të madhe historike për turizmin e për ekonominë shqiptare. Por, ka edhe një paralajmërim për të gjithë ata të cilëve nuk u bëhet vonë për nevojën e një territori të pastër, me theks të posaçmen në zonat ku po bëhet turizëm.
“Ne s’do të lejojmë që sjellja e egër e një pakice individësh të pacipë, të dëmtojë Shqipërinë e rilindur turistike! Një paketë e re ndëshkimesh drastike ligjore për hedhësit e plehrave rrugëve, do të hyjë në fuqi maksimumi fillim-vitin e ardhshëm”, ka shkruar Rama.
Kryeministri Rama ka falënderuar Bashkisë Gjirokastër dhe ARRSH që u angazhuan në pastrimin e aksit Kardhiq-Delvinë që çdo ditë frekuentohet nga mijëra turistë. Hedhja e plehrave kuturu nga brenda makinave, në akset rrugore është një histori e vjetër shqiptare, e cila përsëritet jo vetëm gjatë sezonin turistik, por gjatë të gjithë vitit.