Nga Leonard Veizi
Shënime Udhëtimi
Si fillon e zbret nga kuota më e lartë e Qafës së Thanës, edhe pse e ke parë me dhjetëra herë, pamja duket po aq befasuese sa dhe kur je ndeshur me të për herën e parë. Është liqeni i Ohrit. Disa kilometra më tutje, si ke lënë në të majtë Linin e famshëm të shqiptarëve, përballesh me pamjen urbane të qytetit të Pogradecit…
…Ditët e verës janë edhe të gjata edhe të nxehta. Pushimet e tua mund t’i përdorësh si të duash. Mund të qëndrosh i shtrirë në një shezlon me çadër mbi kokë dhe të freskohesh me ujët e liqenit. Por mund të gërmosh aty-këtu, për të gjetur mundësi të tjera relaksimi, të cilat ndonjëherë quhen dhe si: pushime kulturore.
Një shëtitje turistike në një aks që përvijohet nga Pogradeci në Ohër është një prej tyre.
“Si i bëhet me dal nga kufiri, çfarë dokumentesh duhet?”, – pyes. Se sado i sigurt që të jesh, e mira është dhe të pyesësh. “Kartë identiteti, dokumentet e makinës dhe… kartën jeshile mos e harro”. Shoh dokumentet e makinës por nuk kam asnjë letër jeshile. “Çfarë është karta jeshile”. “Siguracioni vëlla. Mos u bëj merak se e pret dhe në kufi. Vlen për dy javë”. “Ç’thua ore, unë dy orë dua të rri matanë kufirit, se kam punë. Nejse. Ka ndonjë mënyrë tjetër për të kaluar doganën?”. “Ka si s’ka. I shikon ato taksitë atje? Merr një prej tyre dhe je si Pasha. E ke në dispozicion. Rri në Ohër jo dy orë po katër po deshe”. “Rrofsh o Bej!”.
Marr taksinë. 50 mijë lekë të vjetra pazari. Rrasemi familjarisht nëpër sedilje. Unë përpara, meqenëse isha si Pasha. Shoferi nga Pogradeci. Burrë i shtruar. Ai bën në mënyrë të shkëlqyer edhe udhërrëfyesin tonë. Ta paguash guidën dhe s’ke ku e gjen, jo më ta kesh brenda paketës.
Google maps-i raporton se nga Pogradeci deri në Ohër janë 53 kilometra të cilat përshkohen për 1 orë e 5 minuta. Nga Pogradeci në Shën Naum janë 12 kilometra dhe distanca shkurtohet ndjeshëm kur mbërrin në pikën e kalimit të kufirit. Shumë njerëz preferojnë që këtë distancë ta bëjnë në këmbë, në formën e një pelegrinazhi.
Tushemisht e përpjetë
“Ndalesën e parë dua ta bëj në Shën Naum”. “Patjetër, – ma kthen udhërrëfyesi unë. – Ku do shkosh pa parë Shën Naumin?! Kishën e famshme. Ka vlera po aq sa dhe Kisha e Laçit. Është vend mrekullirash”. Udhërrëfyesi fliste me aq pasion sa të jepte përshtypjen e një ortodoksi të thekur, edhe pse nga emri merrej vesh qartë që ishte mysliman safi.
Në rrugën që të çon nga Tushemishti deri në pikën doganore bëheshin punime. Rruga po zgjerohej e asfaltohej.
Eh ta lumsha moj Qeveri!
Doganën shqiptare e kalojmë pa problem. Tek ajo maqedonase, si ngadalësojmë para tabelës “Stop – Policija” udhërrëfyesi më thotë: Kujdes me celularin, se këta nuk kanë qejf t’i regjistrosh. E futa celularin menjëherë mes këmbëve dhe sediljes së makinës. Nuk kisha frikë se mos ma sekuestronin, por jarebi më cilësonin “non grata”. Ec e të hiqja njollën pastaj.
-Zdravo! – përshëndet miqësisht udhërrëfyesi, i cili ngaqë e bën shpesh këtë punë është miqësuar me policët shqiptarë e ata të Maqedonisë së Veriut.
-Zdravo! – ia kthen tjetri me një gjysmë buzëqeshje dhe merr dokumentet që i verifikon në kompjuter.
Kalojmë pa eksese. Se nuk është ndonjë çudi që me Ballkan të Hapur a me Ballkan të mbyllur, në pikat e kalimit kufitar, ne shqiptarëve të na gjejë belaja për hiçmosgjë. Marr frymë thellë dhe me nxitim nxjerr celularin të regjistroj.
-O vëlla, këta qenkan copë-copë, – i them udhërrëfyesit, duke i treguar rrugën e ngushtë. – Kot e shajmë qeverinë ne shqiptarët. Me fondet që po hidhen, Pogradeci do bëhet… – Tjetri më shikon në sy me habi, e unë ngaqë s’di ç’të them më ia mbys – …si Venecia.
-Inshallah, – ma kthen tjetri.
Makina-taksi merr majtas ndërsa një tabelë na paralajmëron “Sveti Naum”.
Ndalesa në Shën Naum
Një rrugë e drejtë, krejtësisht e gjelbëruar dhe fort e pastër më bëri t’i rimendoja fjalët që kisha thënë pak më parë. Të paktën të kisha gjetur një qytet nga jugu i Italisë për të krahasuar Pogradecin. Barin për shembull. Ose Leçen.
I gjithë vendi i quajtur “Shën Naum” që thuhej se ishte në pronësi të Kishës, ishte një mrekulli. Buzë liqenit bëhej plazh dhe brenda në liqen lëviznin plot mjete të vogla lundruese, por dhe anije më të mëdha në formën e një trageti.
Manastiri dhe kisha, që në tabelat orientuese shkruhej “St. Nahum” ishin fort të mirëmbajtura. Vendi është një atraksion i vërtetë, ku turistëve të shumtë që vizitojnë ambientet dhe bëjnë fotografi u bëjnë shoqëri edhe fazanët që lëvizin qetësisht në territorin përreth.
Tek Kisha njerëzit ndezin qirinj. Ata blihen me dinarë, euro, por dhe me lekë shqiptare. Dhe si ke kryer këtë ritual, mund të pish pak ujë e të lash sytë tek një çezmë, për të cilin thuhet se është mirë të marrësh edhe një bidon me vete.
Histori problematike
Në historinë zyrtare thuhet se Shën Naumi është manastir ortodoks buzë liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, i dedikuar Shën Naumit mesjetar që e themeloi. Enciklopedia Zyrtare e botuar në vitin 1985 shkruan se “Shën Naumi është një nga manastiret më të njohura shqiptare, 10 km në verilindje të Pogradecit. Manartiri i kushtohet kryeengjellit Mëhill. Manastiri mendohet të jetë ndërtuar në vitin 900 nga Naumi i cili punoi, vdiq dhe u varros atje më 910. Gojëdhënat thonë që Shën Naumi e ka varrin në kishë”.
Si pasojë e mistifikimit është menduar se kisha ka rezistuar më shumë se 1000 vite. Por dokumentet thonë se gjatë sundimit otoman ajo u shkatërrua dhe u ndërtua sërish.
Enciklopedia Shqiptare vazhdon: “Nga kisha e vjetër kanë mbetur vetëm themelet në trajtë trikonku (trifletëshi). Kisha e sotme është ngritur rreth shek. XVI mbi të parën. Vlerë të veçantë ka ikonostasi prej druri zbukuruar me gdhendje të stilizuara dhe me ikona të Kostandin Jeromonakut, piktor i fundit i shekullit XVII-XVIII që ka punuar në zonën e Korçës (Vithkuq, Voskopojë) dhe Elbasan, shquhet për elementet baroke perëndimore, të cilat ushtruan ndikim në piktorët e mëvonshëm. Piktura murore e kishës është vepër e vitit 1806 e Tërpo Korçarit, i biri i Athanas Zografit. Edhe kishëza e vogël, një ndërtim i mëvonshëm, gjithashtu është e pikturuar. Në brezin e sipërm shtjellohet cikli i mrekullive të Shën Naumit. Mbi arkivolin e Shën Naumit paraqitet në një kompozim origjinal vdekja e tij, ku midis figurave që vajtojnë dallohet qartë Klementi i Ohrit”.
Çështja e Shën Naumit, historia e kalimit të tij nën administrimin e ish-Jugosllavisë në vitin 1925, është pjesë e historisë së ndërlikuar të kufijve shqiptarë.
Enciklopedia Shqiptare, prodhim i Akademisë së Shkencave, e cila nuk ka ende një të dytë, thotë se: “Në korrik 1925 Shën Naumi iu dhurua Jugosllavisë nga mbreti Zog si shpërblim për ndihmën që dha ajo për shtypjen e Revolucionit të Qershorit dhe për kthimin e tij në Shqipëri”.
Iu dhurua jugosllavëve, nga ana e qeverisë së Ahmet Zogut, u shit apo u shkëmbye, kjo është një çështje që i takon historisë. Sepse në “shënime udhëtimi”, kur ke shkuar për të shëtitur, për t’u shëllyer në diell apo për të ngrënë ndonjë pjatë me piskavica, është e tepërt të nisësh të gjykosh çështje ku historianët vazhdojnë të përplasin dokumentacionin pa arritur të ratifikojnë një version shterues. Por ajo që duhet e s’ka nevojë për argumente të shumta është fakti se Shën Naumi, ashtu si dhe shumë toka të tjera të Shqipërisë Etnike, mbetën jashtë kufijve të shtetit Shqiptar.
Në Ohrin e vjetër dhe të ri
Mbërrijmë në Ohër. Dukshëm qyteti ka fytyrën dhe stilin jugosllav, po aq sa dhe qytetet e mëdha të Kosovës. Pedonalja e qytetit, e cila të çon deri në buzë të Liqenit atje ku ndodhet moli, – dhe ku dukshëm janë vendosur monumente shenjtorësh, si ai i Shën Klementit, – ka ngjashmëri me pedonalet e qyteteve shqiptare, ku në njëfarë mënyre do të gjesh një lloj orientalizmi nëpër dyqanet që të ofrojnë gjithfarë sendesh, veshmbathje dhe sidomos ushqime zgare me yndyrë.
Shumë më tepër se pjesa urbane e moderne e qytetit, më intereson ajo e vjetra ndërtuar në shpatin e kodrës, në majë të së cilës ndodhet dhe një kështjellë.
Ohri është njëri nga qytetet më të vjetra e më të vizituara në Maqedoninë e Veriut, por edhe nga qytetet me identitet të theksuar historik dhe turistik. Ohri është i vendosur në brigjet verilindore të Liqenit të Ohrit, kurse prapa ka malin e Galiçicës i lartë 2255 metra, mal që ndan dy liqenet, të Ohrit dhe të Prespës.
Qyteti ka rreth 50 mijë banorë, nga të cilët përqindja më e madhe i takon komunitetit maqedonas. Në qytet ka mbetur vetëm një lagje në Pazarin e Vjetër, ku ende flitet shqip. Por para një shekulli qyteti kishte 80 për qind popullsi shqiptare.
Para 2400 vjetëve, me emrin Lyhnida, Ohri është themeluar nga fisi ilir i enkelejve qysh në parahistori. Nga viti 148 p.e.r. ka rënë nën pushtimin e Perandorisë Romake, periudhë gjatë së cilës u zhvillua sepse gjendej në rrugën e vjetër dhe më të rëndësishme romake në Ballkan, Via Egnatia. Gjatë mesjetës së hershme, në vitin 867, qytetin e pushtuan bullgarët, të cilët e shpallën kryeqytet të perandorisë së tyre si dhe qendër kulturore.
Liqeni i Ohrit, i cili konsiderohet më i vjetri në Evropë, së bashku me qytetin janë ndër trashëgimitë kulturore dhe natyrore të UNESCO-s që nga viti 1980.
Kalaja e Samuelit, është një nga vendet më të rëndësishme kulturore dhe historike. Gjatë historisë, kalaja është rrënuar dhe rindërtuar shumë herë, kështu që mban gjurmët e pothuajse të gjitha epokave historike të qytetit të Ohrit. Shumica e mureve të kalasë dhe periferisë, së bashku me kullat e ruajtura, mendohet se datojnë që nga koha e mbretit Samuel. Sot janë ruajtur 18 kulla dhe katër porta të kalasë.
Menjëherë poshtë kalasë ndodhet Teatri Antik i cili është përdorur në periudhat helenistike dhe romake. Mendohet se u ndërtua në shekullin e 3-të para erës sonë. Nga kjo epokë dhe nga periudha e mesjetës janë ruajtur shumë artefakte. Teatri Antik është rinovuar tërësisht dhe që nga viti 2001 në skenën e hapur janë vënë në skenë drama, koncerte muzikore, shfaqje dhe manifestime të ndryshme.
Kthimi në Pogradec
Pasditja na gjen në Pogradec. Kur je në shtëpinë tënde di të kullandrisesh më mirë. S’ka nevojë as për euro e as për dinarë. Lekut tonë ia dimë marifetet. Merr vesh sa do paguash e sa kusur do të të kthejnë.
Pogradeci është nga qytetet më relaksuese. Paradite bën plazh, e natën fle me batanije. Madje po të bjerë ndonjë dorë shi, të duhet dhe një xhaketë të përballosh uljen e temperaturave. Por ndihesh shumë më mirë kur sheh aplikacionin që të tregon se në Tiranë temperaturat janë aq të larta sa mund të ziesh vezët pa korent.
Pogradeci gjithashtu ka një lagje të vjetër me ndërtime karakteristike. Ka dhe disa kisha ortodokse mjaft interesante. Dhe në majë të një kodre janë mbetjet e një kalaje të lashtë. Pra ka gjithçka që ka dhe Ohri. Por zakonisht ndodh që kur shkon për vizitë tek tjetri, edhe pse kondrabufenë dhe tavolinën e mesit e ka po si të tuat, ato të duken më të bukura.
Bela e madhe.
Pasdite, në Odeon mbahet një koncert instrumental ku interpretojnë një trupë e ardhur nga Teatri i Operas dhe Baletit, me soprano e balerinë si pjesë e saj. Koncerti është spektakolar. Njerëzit që janë mbledhur për t’u argëtuar nuk e kanë mendjen as tek kuarteti i harqeve, as tek sopranoja dhe as tek balerinët që luanin “Arrëthyesin” dhe “Liqenin e mjellmave”. Madje nënat me fëmijë, të cilave iu këshillua të mos i linin të vegjlit të luanin në skenën e Odeonit, bënë të kundërtën.
Jemi të paparë… ndaj dhe jemi shqiptarë.
Por argëtimi vazhdon, sepse në një nga lokalet e shumta mes shëtitores dhe buzë liqenit, një orkestër luan “live” jo vetëm serenatat e Korçës por dhe potpuri nga Shqipëria e Mesme.
Dhe kështu vjen mesnata, ku duhet të shkosh e të mbledhësh kockat në shtrat se në mëngjes mund të ndërmarrësh një tjetër rrugë panorameske, por këtë herë brenda territorit shqiptar.