Kupa e Botës për femra është duke u zhvilluar për herë të parë në dy shtete, me Australinë dhe Zelandën e Re që duhet të jenë të kënaqura për mënyrën sesi po shkon eventi që morën pjesë 32 ekipe. Veç tyre, për herë të parë FIFA ka zgjedhur që një arbitre palestineze të gjykojë në duelin mes Kinës dhe Anglisë.
Në një vend ku gratë palestineze përballen me të gjitha format e dhunës dhe diskriminimit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, Himba Saadia u bë të martën, në ndeshjen Kinë-Angli, gjyqtarja e parë femër palestineze që merr pjesë në një Kupë të Botës.
Saadia e kaloi fëmijërinë e saj në kampin e refugjatëve palestinezë, Yarmouk, në Siri, ku shfaqi pasionin e saj për sportin që në moshë të vogël. Një pasion që ajo e mbajti gjallë në zemrën e saj derisa hyri në kolegj për të studiuar në Universitetin e Damaskut me një fushë të edukimit fizik dhe botën e futbollit. Ajo u transferua në Malajzi në vitin 2012, pas shpërthimit të luftës në Siri dhe filloi të arbitronte atje.
Siç ka rrëfyer, ajo ka sakrifikuar shumë në fillim për të gjetur një vend ku të stërvitej. Ajo stërvitej kudo. Në rrugë, në parking. Ajo u plagos dhe iu desh të trajtonte vetë plagët e saj. Më pas ajo u transferua me familjen e saj në Suedi, në fund të vitit 2016, si pjesë e një programi të risistemimit të Kombeve të Bashkuara dhe tani është gjyqtare në divizionin më të lartë të ligës suedeze për femra dhe divizionin e dytë të ligës së meshkujve.
Ajo ishte një ndihmës gjyqtare në Kupën e Azisë së femrave, të mbajtur në Indi vitin e kaluar dhe në fazën e grupeve të Kupës Kontinentale AFC 2022, të mbajtur në Vietnam, të organizuar nga Konfederata e Futbollit Aziatik. Ajo ishte gjithashtu një ndihmëse gjyqtare në Kupën e Botës të Femrave U-20 FIFA të këtij viti në Kosta Rika.
Në një intervistë për “Al Jazeera” para fillimit të Kupës së Botës, e pyetur se çfarë do të thotë të jesh arbitrja e parë palestineze në një Kupë Bote, ajo tha: “Oh, jam shumë krenare. Jam shumë krenare që jam arbitrja e parë palestineze, mashkull apo femër, në Kupën e Botës. Kjo më bën të ndihem përgjegjëse për të treguar një paraqitje shumë të mirë gjatë turneut”.