Ka kaluar rreth një dekadë që kur “dragoi” kinez nisi në të gjitha drejtimet, jo zjarr nga goja, por shumë para për të tërhequr yjet e futbollit dhe për t’u bërë një “lojtar” i fortë në industrinë e sportit. Në eksperimentin e titulluar “superfuqia edhe në futboll” u investuan miliarda dollarë. Ëndrra e madhe e presidentit Xi Jinping për të parë një ditë që vendi i tij të presë Kupën e Botës, kishte filluar të merrte formë.
Në shumicën e turneve të tij, brenda dhe jashtë vendit, ai kishte me vete edhe një top futbolli, të cilin e gjuante duke buzëqeshur para kamerave televizive. Media shtetërore vazhdoi të përmendte dashurinë e tij për futbollin, megjithëse sportet e njohura në Kinë kanë qenë gjithmonë ping-pong, badmintoni, volejbolli dhe basketbolli.
Ministria e Arsimit ishte urdhëruar të fuste futbollin në shkolla dhe miliarda dollarë ishin caktuar për ndërtimin e qindra fushave. Kompanitë e mëdha prodhuese investuan shpejt në ekipe profesionale dhe më pas i furnizuan me yje botërorë të sportit. Guangzhou Evergrande prezantoi Marcelo Lippin, si trajner i ri me pagë vjetore 10 milionë euro, Nicolas Anelka shkoi në Shangai Shenhua me rrogën që kishte Messi në Barcelonë, transferimi i brazilianit Oscar nga Chelsea në Portin e Shangait kushtoi më shumë se 60 milionë euro ndërsa investimet e tyre u shtrinë edhe për klubet e mëdha europiane.
380 milionë dollarë janë dhënë nga skuadrat për shpenzimet e transferimeve në dimrin e 2017-ës. Nga këta, 70% përfunduan si futbollistë të huaj. Transferimi i sulmuesit brazilian Alex Teixeira, të cilin Jiangsu e bleu nga Shakhtari ukrainas në vitin 2016, kushtoi 50 milionë euro, ndërsa sulmuesi brazilian Hulk fitonte te Shangai në kontratën më të lartë në Superligën kineze 350 mijë dollarë në javë. Gjithçka dukej se ishte çështje kohe që projekti të kishte sukses.
Vendosmëria dhe paratë ishin aty, fillimi ishte bërë dhe diskutimet e guximshme nuk ishin vetëm për organizimin e Kupës së Botës në 2030 ose 2034, por edhe për pushtimin e saj nga kombëtarja kineze.
Tashmë, në vitin 2023, viti i “lepurit të zi” sipas kalendarit kinez, gjithçka është… e zezë pasi ëndrra futbollistike e vendit më të populluar në botë ka përfunduar përgjithmonë. Emrat e fundit të mëdhenj janë tërhequr nga SuperLiga kineze e cila filloi prillin e kaluar, kombëtarja po lëkundet dhe çdo mendim për të pritur turne të mëdhenj futbolli është braktisur. Dhe më e keqja, disa nga zyrtarët më të lartë të “revolucionit” të futbollit kinez janë arrestuar me akuza për korrupsion.
Këtë vit vendin e Kinës e ka zënë Arabia Saudite, me vendin e pasur me naftë që po investon shuma të “çmendura” duke marrë Cristiano Ronaldon, Benzema, Mane and Co në ligën e tyre. E në fund përralla e Arabisë Saudite në futboll mund të jetë vetëm një makth, pa një fuçi të vetme nafte; njëjtë si dragoi kinez që vetëm flakë nuk kishte “nga goja”.