MENU
klinika

Ben Andoni

Paradokset tona, Kroacia dhe pse Kurti s’duhet të jetë në Athinë!

20.08.2023 - 19:59

Nuk është se Greqia ka treguar se ka pasur gjithmonë kujdes për protokollin tonë shtetëror. Së fundi, kryeministri i saj Micotaqis nuk e ftoi kryeministrin Rama në një takim informal, që do zhvillohet të hënën e 21 Gushtit, sa i përket përkujtimit të deklaratës të Samitit të Selanikut, dokumentit ligjor themelor të zotimit zyrtar të Bashkimit Europian për ofrimin dhe sigurinë e perspektivës europiane të vendeve të rajonit tonë nga BE. Micotaqis e organizon takimin e nivelit të lartë me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të rajonit në të cilin marrin pjesë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, dhe personalitet e tjera kryesore të BE, por edhe kryeministra e presidentë të Ballkanit, varësisht pozicionit të tyre atribuitiv primar në shtetet respektive. Shqipëria u veçua nga Rama dhe ftesa iu dorëzua presidentit Begaj, që duket se këtë herë ndërmori një nga aktet e reja të përfolura të njëjtësisë me kryeministrin, duke e refuzuar. Bëri mirë apo keq, përgjegjësia i mbetet këshilltarëve të tij, por në një vështrim të qetë, duket se ka vepruar me kokë të ftohtë.

“Kathimerini” shkroi se vendimi i kryeministrit grek është një mënyrë diplomatike për t’i treguar jo vetëm Ramës, por edhe liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, se Greqia nuk negocion për çështje parimore, siç është respektimi i të drejtave të njeriut që në rastin e Belerit konsideron se po dhunohen nga Shqipëria, shkruan gazeta greke. Që të ndërhynte në vitin ’97, sicc veproi me ne, konsiderohet normale?!

A mundej Greqia ta kursente të gjithën këtë? Pse e ftoi atëherë kryeministrin kroat, pas deklaratës së presidentit Zoran Milanoviç, i cili shpërtheu në akuza për autoritetet greke pas ngjarjes së javës së shkuar në Athinë, ku një tifoz 29-vjeçar grek u qëllua për vdekje me thikë pranë stadiumit të AEK-ut nga grupi i ultrasve “Bad Blue Boys”, që mbështesin Dinamon e Zagrebit. “Kishin pesë ditë kohë për të gjetur parazitët e një grupi njerëzish dhe shkuan e i arrestuan të gjithë. I shpërndanë në të gjithë vendin që të dhunohen. Nëse ky është sot Bashkimi Evropian, më mirë të mos e kemi”, shtoi ai hidhur për autoritetet greke. Ndaj Shqipërisë nuk u ndoq kjo logjikë, por shkëlqesia e tij Begaj do duhej të ishte mbase dhe t’ua thoshte disa gjëra në sy. Të paktën sa u përket asimetrive tona.

Në fakt, Greqisë i pëlqejnë asimetritë. Më 8 janar të vitit 2021, Ministri i Jashtëm grek zhvilloi bisedime me kryeministrin shqiptar në zyrën e tij në Athinë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, ndërkohë që reciprociteti impononte kryeministrin. Pak javë më parë, kryeministri grek Micotaqis do të deklaronte nga Himara: “Falënderoj himariotët që kanë mbajtur të ndezur në zemrat e tyre flakën e helenizmit dhe ortodoksisë”. Jo vetëm që nuk pati reagim nga Tirana zyrtare për këtë sjellje por edhe u respektuan deri në maksimum dekoret me flamurin madhështor grek. Paçka se duhet të pranohet një realitet që Himara është një minoritet linguistik.

Dhe vimë në paradokset tona: Berisha dhe të tjerë që mundohen të fitojnë pikë duhet të kujtojnë se edhe ata kanë kontributet e tyre në këtë asimetri marrëdhëniesh me servilizmin e tyre, kurse është e mbetet radha e kryeministrit Kurtit, që t’i tregojë Athinës zyrtare një qëndrim dinjiteti, kur ky vend nuk e njeh Kosovën. Megjithë marrëdhëniet e mira në vitet e fundit dhe besimin e Osmanit se Greqia mund të kthejë udhë me Prishtinën, Athina zyrtare duket se nuk do ta njohë Kosovën edhe për shumë e shumë vite të tjera. Mbase, nëse Kurtit do të duhet t’i kujtohet diçka që të provojë për shqiptarizmin (ai ka qejf ta mbajë të ngritur si kumt) është që në këtë rast ta abandonojë Micotaqisin, për t’i treguar se Rruga në Evropë nuk mund të kushtëzohet. Mbase edhe Begaj, mund të kishte mundësi me shkuarjen e tij që t’i tregonte e kujtonte autoriteteve greke asimetritë jo normale mes nesh. Ku thjesht t’u kujtosh Ligjin e Luftës, të bën të mendosh mirë, sesi duhet të sillesh me ata. Mbase, Kurti mund të tregojë një qëndrim të tillë, për të treguar respektin me Shqipërinë dhe nisjen e shkrirjes së akullit. Por, mbetet në dorën e tij. Mbase, Rama, në një rast të tillë nuk do ta bënte?!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN