Në kuadër të një hetimi të nisur për afera me rezervat shtetërore në Kosovë, policia ka kryer kontrolle edhe në restorantin “Bukë e Zemër”, që është pronë e Ridvan Muharremit, për të cilin është raportuar në media se është njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti.
Mahmut Halimi, avokati i Muharremit, tha se për klientin e tij ende nuk ka fletarrest, duke shtuar se ia kanë dorëzuar policisë të gjitha provat.
Aksioni policor nisi me kontrolle në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrjes. Në pranga kanë rënë dy zyrtarë, punonjës të kësaj ministrie që janë përmendur në përgjimet e publikuara për ‘skandalin e grurit dhe vajit’. Kjo ministri dyshohet se u bastis për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore.
Disa ditë më parë, Prokuroria Speciale nisi hetimet për mungesën e rezervave të grurit dhe vajit. Sipas medias Nacionale, një grup prokurorësh është angazhuar për të hetuar pagesat që ka kryer qeveria për t’u furnizuar me këto dy produkte bazike, furnizime këto që nuk arritën kurrë të rezervat e shtetit.