MENU
klinika

Ngjarja e rëndë në Prishtinë

Policia: Mes të plagosurëve, 14 janë gra

05.08.2023 - 09:56

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me të shtënat me armë në një lokal në qendër të Prishtinës, ku thotë se kanë mbetur të lënduar 21 persona. Shkak i sherrit masiv dyshohet të jetë një mosamrrëveshje.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se 17 persona, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit, ndërsa 4 persona janë plagosur me armë zjarri.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.