MENU
klinika

Lajçak në qendër të kritikave

Pse BE mban anën e Vuçiçit në dialog

07.08.2023 - 10:42

Tensionet mes Kosovës e Serbisë, duket se i ka vënë ndërkombëtarët dhe ekspertët në mëdyshje, për shumë nga dinamikat, në vështirësi për të përcaktuar se cila pale ka të drejtë  e cila jo. Megjithatë, duket se ka një pikë, ku duket se bashkohen të gjithë: BE ka dështuar në rolin e saj. Përpjekjet e bllokut për të qetësuar situatën janë dukur më tepër si presion, kryesisht ndaj vetëm njërës palë, Kosovës. Sakaq, me Serbinë, është mbajtur një qasje disi më e butë. Megjithatë, duket se të paktën BE, po “zihet ngushtë” nga kritikat, sidomos pas lëvizjes së fundit. Politikanë të rëndësishëm nga vende të ndryshme perëndimore u kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe që të kenë qasje më të ashpër në raport me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ata kanë bërë thirrje të reagohet ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë.  Nga ana tjetër media gjermane “Der Spiegel” kritikon edhe ndërmjetësin e BE-së Mirosllav Lajçak. Ndërsa Vuçiçi thoshte se populli serb në Kosovë i është nënshtruar “përndjekjes më të tmerrshme” në 15 vitet e fundit, Lajçak nuk e kundërshtoi, por lavdëroi “bisedën e sinqertë dhe të hapur” me presidentin serb.

Letra e ndërkombëtarëve

“Përpjekjet e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të dënohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon t’i minojë zgjedhjet e lira dhe fer”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly. Letra është nënshkruar edhe nga kryetari i Politikës së Jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, Michael Roth, edhe nga kryetarët e komiteteve të politikave të jashtme të Britanisë së Madhe, Çekisë, Ukrainës, Irlandës, Estonisë dhe Lituanisë. Madje është nënshkruar edhe nga senatori amerikan Bob Menedez. Aty është kërkuarqë të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. “Qasja nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë të mësojë nga e kaluara dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politikë ku në qendër në Ballkan është Beogradi. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës”, thuhet në letër.

Kritikat e Kosovës

Kujtojmë se pas takimit të 19 korrikut me Lajçak, zëvendëskryeministri Bislimi tha se draftet e deritanishme që emisari evropian ua dërgoi palëve, në mënyrë të njëanshme u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave e preferencave të Serbisë, si dhe se nuk e garantojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes. Por në zyrën e Miroslav Lajçak thanë se synimi është arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sakaq, klubi europian iu është përgjigjur kritikave, me shkrim, duke mohuar se mbajnë anën e Serbisë dhe duke insistuar se synim i tyre është që të ndihmojnë të dyja palët në zbatimin e marrëveshjes.“BE-ja nuk është e njëanshme. BE-ja është ndërmjetëse e ndershme që ka investuar në mënyrë të paanshme t’u ndihmojë palëve në dialog – Kosovës e Serbisë – që të arrijnë zgjidhje kompromisi, e cila gjithashtu kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit. Dialogu është në qendër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Dështimi i BE-së

Sakaq, duke iu referuar dinamikës së negociatave dhe zhvillimeve në veri, eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, vlerësoi se BE-ja por edhe SHBA-ja po dështojnë në raport me palët.“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë duke dështuar si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin. Në njërën anë, Presidenti Vuçiç ka bërë të qartë se nuk ka detyrime nga marrëveshjet e arritura në shkurt dhe në mars. Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka bërë të qartë se nuk do të lëvizë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa vendosur rendin dhe ligjin në veri të Kosovës. Amerikanët dhe evropianët nuk janë të gatshëm të bëjnë presion ndaj Vuçiçit, ndërkaq presioni i tyre ndaj Kurtit nuk ka dhënë rezultate”, ka thënë Serwer. Në mungesë të dakordimit, BE-ja muajve të fundit është marrë me çtensionimin e situatës në veri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Escobar: I kemi inkurajuar palët të angazhohen në dialog

“Ekzistojnë ndërtesa të tjera ku mund të bëhet puna e kryetarëve…”

Intervistë ekskluzive, Ambasadorja e Francës

“Asociacioni s’është një “Republika Srpska” e dytë”