MENU
klinika

Analiza

Pse Trump po fiton sërish garën brenda Partisë Republikane

14.08.2023 - 09:00

Për ata që duan që Partia Republikane të lëvizë në një drejtim tjetër, sondazhi i Neë York Times të dielën e shkuar, ishte jo pak dëshpërues. Donald Trump po i fiton sërish zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane për emërimin si kandidat zyrtar në presidencialet e vitit që vjen, dhe duket se nuk ka gjasa që dikush ta mundë.

Ja si e përmblodhi vetë Times sondazhin e saj:“Zoti Trump kishte një avantazh të dukshëm vendimtar në pothuajse çdo grup demografik dhe rajon, dhe në çdo krah ideologjik të partisë, zbuloi sondazhi, ndërsa votuesit republikanë i shpërfillën shqetësimet rreziqet ndaj tij si pasojë e padive të shumta gjyqësore.

Ai udhëhoqi në sondazh me diferenca të mëdha mes burrave dhe grave, votuesve më të rinj dhe atyre të moshuar, të moderuarve dhe konservatorëve, atyre me universitet dhe jo me shkollë të lartë, nga qytetet, periferia dhe zonat rurale”. Por pse Trump po fiton kaq lehtë garën paraprake brenda partisë së tij? Ja cilat janë 4 arsyet kryesore.

E ka bërë këtë edhe më parë
Kjo është fushata e tretë e Donald Trump për president të SHBA-së. Në të vërtetë nuk ka asnjë zëvendësues për një përvojë të tillë. Dhe votuesit republikanë shpërblejnë zakonisht dikë që ka kandiduar më parë. Riçard Nikson hyri në Shtëpinë e Bardhë pas kandidimit të tij të dytë për president.

Ronald Regan kandidoi kundër presidentit në detyrë Xherald Ford në vitin 1976, përpara se votuesit ta shpërblenin atë në zgjedhjet e vitit 1980. Xhorxh H.Ë.Bush humbi në zgjedhjet paraprake të vitit 1980, por fitoi në ato të vitit 1988, dhe struktura e fushatës që ai ndërtoi e ndihmoi djalin e tij në fitimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000.

Senatori i ndjerë Xhon Mekein kandidoi 2 herë, duke u nominuar herën e dytë. Ish-guvernatori i Masaçusets, Mit Romni, u emërua si kandidat zyrtar pas kandidimit të tij të dytë. Kandidati i vetëm i kohëve të fundit që fitoi që në përpjekjen e tij të parë ishte Trump, por ai po konkurronte kundër rivalëve që ishin rishtarë si ai vetë.

Ai është më i famshmi
Duhet shumë kohë dhe para për t’u bërë aq i famshëm sa të jesh i denjë për t’u zgjedhur president. Padyshim, të gjithë e njihnin Dpnald Trump për shkak të rolit të tij protagonist në shfaqjen televizive të mirë-njohur “The Apprentice”, dhe ajo e ndihmoi shumë në zgjedhjet e vitit 2016.

Emri është zakonisht një parashikues mjaft i mirë i suksesit elektoral të një personi. Është vërejtur shumë herë, se votuesve u pëlqen të votojnë për dikë për të cilin kanë dëgjuar më parë. Dhe të gjithë kanë dëgjuar për Donald Trump. Askush tjetër në fushë nuk mund t’i afrohet famës së emrit të Trump.

Ata që ndjekin rregullisht politikën, kanë dëgjuar që të gjithë për guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, senatorin Tim Skot, ish-zëvendëspresidentin Mike Pence dhe ish-ambasadoren e OKB-së Niki Halej. Por nëse keni kryer ndonjëherë një nga ato intervistat që bën zakonisht Xhej Leno në rrugë, besoj se vetëm disa nga të intervistuarit mund të thonë se kush ishte zëvendëspresidenti i Trump.

Ai po dominon ciklin e ri të lajmeve në media
Për shkak se Trump është kaq i famshëm, mediat kryesore të lajmeve janë të magjepsura me gjithçka që ai bën, thotë apo për të cilin akuzohet. Si mund të bëhet një sfidues i Trumpit po aq i famshëm, nëse lajmet mbulojnë vetëm atë që thotë dhe bën Trump? Nuk ka asnjë mënyrë që ndonjë kandidat të fitojë ndonjë tërheqje në mjedisin aktual mediatik.

E vetmja mënyrë që një kundërshtar brenda Partisë Republikane mund të dalë në media është duke e sulmuar Trumpin. Por shumicës së votuesve republikanë nuk i pëlqen të dëgjojë sulme ndaj ish-presidentit nga republikanët e tjerë. Ata e shohin këtë si një shkelje të besnikërisë ndaj partisë. Prandaj shumë prej këtyre sfiduesve janë të detyruar të mbrojnë Trumpin edhe kur Departamenti i Drejtësisë, Joe Biden dhe aleatët e tij e paditin presidentin mbi akuzat qartazi partiake.

Ka pasur një rekord shumë të mirë si president
Ajo që e ndihmon më shumë Donald Trump në këtë garë të re, është rekordi i tij si president në Shtëpinë e Bardhë. Sigurisht, Shtëpia e tij e Bardhë ishte një kaos nga brenda dhe menaxhimi i që i bëri pandemisë së Covid-19 ishte katastrofik.

Por ai ishte shumë i suksesshëm kur bëhej fjalë për paqen dhe zhvillimin. Në kohën e presidencës së tij ekonomia amerikane ishte e fortë, çdo grupim racor dhe etnik kishte një punësim në nivele rekord rekord. Amerika ishte e vetë-mjaftueshme për sa i përket nevojave për energji, vendet e punës dhe kapitali u rikthyen në vend për shkak të projektligjit të tij për reformën tatimore.

Në sferën ndërkombëtare, Rusia nuk kishte asnjë arsye për të pushtuar Ukrainën, Koreja e Veriut pezulloi programin e saj bërthamor, dhe pati disa marrëveshje për paqe në Lindjen e Mesme. Sigurisht, jo gjithçka ishte e përsosur, dhe 6 janari i vitit 2021 ishte një ditë e tmerrshme për kombin amerikan.

Gjithsesi për pjesën më të madhe të votuesve republikanë, ish-presidenti bëri një punë shumë të mirë për të garantuar rizgjedhjen e tij në detyrë. Ose të paktën kështu sugjerojnë sondazhet e zhvilluara deri më tani.

Shënim:John Feehery, partner në kompaninë konsulente “EFB Advocacy”. Më herët ka qenë zëdhënës i ish-kryetarit të Kongesit Amerikan, Denis Hastert dhe drejtor i komunikimit të ish-kryetarit të shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Delai./ “The Hill” – Përkthyer dhe përshtatur nga CNA