MENU
klinika

7-8 mln euro të tjera në çmimin e naftës

Qeveria shtyn koncesionin për markimin e karburanteve

09.08.2023 - 10:14

Këshilli i Ministrave pritet të shtyjë edhe një vit koncesionin për markimin e karburanteve, i cili zyrtarisht duhet të kishte përfunduar në datën 1 gusht.

Lajmi bëhet i ditur për Monitor nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, sipas projekti është gati në qeveri për të kaluar për nesër, pavarësisht kundërshtimit që kanë pasur kompanitë e karburanteve për shkak të mungesës së eficiencës së këtij koncesioni deri tani dhe të mosdhënies së argumenteve pse duhet shtyrë.

Ndërkohë, Doganat dhe Ministria e Financave nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë nëse do të shtyhet kontrata apo jo, teksa kompanitë vijuan që të paguan tarifën e këtij koncesioni edhe pas datës 1 gusht.

Argumenti për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut. Një argument i ngjashëm u përdor edhe për shtyrjen e koncesionit të pullave fiskale, pasi nuk ishte zbatuar pjesa e kontratës për pullat e barnave.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tha se megjithë këmbënguljen për tu ballafaquar me përfaqësues të institucioneve përkatëse se pse duhet shtyrë, apo duhet të vazhdohet të paguhet ky koncesion, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje.  Sipas tyre ky koncesion nuk ka bërë asgjë për të luftuar kontrabandën, pasi shënjohet nafta që del në treg dhe ajo ajo që nuk paguan akcizë.

Për këtë kontratë koncensionare që kishte si qëllim markimin dhe gjurmimin e karburanteve që rezulton i paefektshëm sipas kompanive importuese janë paguar për 9 vite rreth 30 mln euro. Tarifa e koncensionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Shtyrja e tij e mundshme edhe për një vit do të rëndojë në çmimin e naftës dhe me 7-8 milionë euro të tjera, aq sa është pagesa që operatorët e naftës bëjnë në vit për këtë koncesion. Ky i fundit ndërkohë deklaroi një normë fitimi prej 39% në vitin 2022. /monitor/