MENU
klinika

Reagon sërish

Schinas: Arrestimi i Belerit ‘krejtësisht anti-evropian’

15.08.2023 - 14:30

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, njëkohësisht edhe eurodeputet i zgjedhur i Greqisë, ka reaguar sërish sa i takon çështjes së arrestimit të Fredi Belerit, kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë, duke e quajtur ndalimin e tij si “krejtësisht anti-evropian”.

Beleri është arrestuar dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 14 majit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK, nën akuzën e shitblerjes aktive të votës.

Por, për Schinas – ashtu sikundër për deputetë e politikanë me zë në Greqi – ndalimi nuk ka qenë në frymën e duhur ligjore, por në atë politike.

Përmes një videoje të regjistruar, ai lëshoi një mesazh gjatë demonstratës së djeshme, të mbajtur nga shoqata Omonia në Himarë, për lirimin e Belerit.

Schinas, në të, thotë se “rruga evropiane e jetës ka të bëjë me demokracinë, drejtësinë, lirinë e votës dhe të zgjedhjes”.

“Ky është themeli për të gjithë ata që duan të bëhen anëtarë të familjes sonë të madhe evropiane. Dhe Shqipëria nuk mund të jetë një përjashtim nga kjo”, nënvizoi ai.

Komisioneri shtoi se i ka kërkuar kolegut të tij përgjegjës për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, “t’i bëjë të qartë Shqipërisë se kjo çështje nuk mund dhe nuk duhet të bëhet barrierë, mur, për aspiratat evropiane të vendit dhe të popullit shqiptar”.

Ai u bëri thirrje autoriteteve në Shqipëri “të mos këmbëngulin në një taktikë që nuk është në interes të vendit të tyre, që nuk është në interes të aspiratave evropiane të popullit shqiptar”.

“Ka humbur shumë kohë, por edhe tani, në këtë moment të fundit, nuk është vonë për të korrigjuar padrejtësinë që i është bërë Fredi Belerit. Sepse ajo që po ndodh me Fredin është thellësisht anti-evropiane”, përmbylli ai.

“Kam besim se edhe në orën e njëmbëdhjetë, Fredi do të jetë në gjendje të marrë detyrën si kryetar i Bashkisë së Himarës, pa asnjë opsion tjetër të pranueshëm për Bashkimin Evropian”.

Më herët ndërkaq, kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes një letre të hapur, i ka përshkruar ndërhyrjet e politikës greke në këtë rast si aspak të duhura dhe ka kërkuar që shteti ligjor në Shqipëri të kryejë detyrën, i pavarur nga ndikimi politik.