MENU
klinika

Policia mbërrin në vendngjarje

Sërish shpërthime të forta në guroren e Borizanës

11.08.2023 - 10:53

Fshati Borizanë i Krujës vijon të jetë nën “pushtetin” dhe “dhunën” e guroreve. Pas ngjarjes së turpshme të ndodhur javë më parë, me sa duket problemet janë rikthyer sërish për banorët e këtij fshati. Guroret e shumta të ngritura në mal, por shumë pranë zonave të banurara janë shndërruar në makth për ta.

Burime të besueshme tregojnë për Newsbomb.al që mbrëmjen e djeshme ka pasur një tjetër shpërthim të madh, duke tronditur banorët pranë qendrës së këtij fshati. Në një video të siguruar nga redaksia jonë shihen uniformat blu që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Ndërkohë banorët e zonës kërkojnë llogari ndaj tyre për atë që po ndodh.

Një dëshmitar, i cili ka kërkuar të jetë anonim për vetë ndikimin që kanë pasur këto ngjarje të ditëve të fundit tregon për Newsbomb.al: “Mbrëmë, rreth orës 17:50 të mbrëmjes ka ndodhur një shpërthim i fortë në fshatin Borizanë të Krujës. Ka qenë një gurore, që ndodhet afro 250 metra larg qendrave të banuara. Shpërthimi ishte shumë i fortë. Kemi marrë policinë në telefon dhe na kanë thënë të shkojmë në komisariat për të bërë kallëzim. Por, kemi këmbëngulur të vijnë në vendngjarje pasi në komisariat nuk kemi gjetur asnjëherë zgjidhje. Dua të theksoj se është gurore tjetër dhe jo ajo e fisit të Rrajave”, thotë ai ndër të tjera duke shpjeguar edhe vendndodhjen e saktë të saj: “Është përballë qendrës së Borizanës. Ish gurorja e Dan Shimës, teksa ky i fundit e ka dhënë me koncesion. Të them të drejtën nuk e di saktë cili është administratori që e ka marrë në përdorim”.

Siç duket saga e shpërthimeve dhe skandaleve në këtë fshat të vogël të Krujës do të vijojë me banorët që luten çdo natë për shtëpitë e tyre. Dëmtimet kanë qenë të shumta, megjithatë qeveria nuk po e “vë ujin në zjarr”. Më poshtë iu ftojmë të ndiqni videon e banorëve të cilët kërkojnë llogari nga policia, ndërsa këta të fundit kokë-ulur duken të dorëzuar përballë faktit.

© Videot dhe fotot e siguruara nga Newsbomb

Pamje nga shperthimet ne Borizan
Pamje nga shperthimet ne Borizan

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN