MENU
klinika

Zbardhen prapaskenat e vendimit

SHBA “fundos” Dodik, sanksionon bashkëpunëtorët e tij

02.08.2023 - 09:40

Të hënën, Departamenti i Shtetit përshëndeti vendosjen e sanksioneve për katër bashkëpunëtorët e ngushtë të udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, duke e vlerësuar atë si një përgjigje të nevojshme ndaj “përpjekjes së tyre të pacipë” për të minuar autoritetet e Bosnje-Hercegovinës.

Vendimi i Ministrisë së Financave të SHBA-së vendosi sanksione ndaj anëtares së Presidencës së BiH-së, Zheljka Cvijanoviç, kryeministrit dhe parlamentit të Republika Srpska, Radovan Vishkoviç dhe Nenad Stevandiç, dhe Ministrit të Drejtësisë së Entit Millosh Bukejloviç.

Ata u dënuan me ndalim të udhëtimit në SHBA si dhe ngrirje të pasurive ndërsa të gjithë shtetasve amerikanë u ndalohej të bënin biznes me ta. Kjo është një përgjigje ndaj rolit të tyre në miratimin e ligjit me të cilin Parlamenti i RS ndaloi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës në atë ent.

Në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të SHBA-së, Matthew Miller, thuhet se katër zyrtarë nga Bosnja dhe Hercegovina kanë marrë pjesë në cenimin e Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës dhe rrjedhimisht Marrëveshjes së Dejtonit.

Miller kujton se ligji i diskutueshëm në fakt është iniciuar nga Dodik, që është nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2017, dhe pavarësisht vendimit të Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën Christian Schmidt për të anuluar ligjin më 1 korrik, Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të tij.

Në komentin e tij të parë, Dodik tha se nuk shqetësohet aspak për sanksionet ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. “Sanksionet tregojnë gjithashtu sa e pafuqishme është SHBA”, tha lideri serb i BiH.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN