MENU
klinika

Euro bie, nafta ngrihet

Shqipëria ‘nën thundrat’ e monopoleve

01.08.2023 - 18:28

Shqiptarët vazhdojnë të përballen çdo ditë me lajme të hidhura për xhepin e tyre dhe e gjitha kjo situatë krijohet nga keqqeverisja dhe babëzia e shtetit për të grabitur dhe vjedhur sa më shumë para. Në harkun e vetëm pak ditëve çmimi i naftës ka pësuar një shtrenjtim prej 8-9 lekësh për litër. Së fundmi nafta ishte në kufirin e 179 lekëve, ndërkohë kompanitë e kanë rritur sërish, duke e çuar në 184-185 lekë. Nga ana tjetër, pas ditësh ku regjistroi një përmirësim, sërish monedha e përbashkët europiane e ka nisur javën me rënie duke u këmbyer dje me 102.87 lekë, thuajse 3 lek më pak se dita e premte.

Bie euro
Ndonëse bizneset janë shprehur se po falimentojnë prej pikiatës së euros, Banka e Shqipërisë gjykon se nuk ka asnjë rast spekulimi që të ndërhyjë në tregun e brendshëm. Agjentët e tregut thonë se rritja që pësoi euro javën e kaluar në masë më të madhe ishte e pajustifikuar dhe rezultatet e panikut prej blerjeve në vlera të mëdha nga subjektet që kishin vendosur të shfrytëzonin kursin e favorshëm që ofronte kulmi i sezonit veror. Sapo kjo kërkesë shteroi dhe bankat mbyllën pozicionet nga shitjet e valutës, duke se kursi i këmbimit të Euros ka rënë në mënyrë të menjëhershme. Rënia e euros dhe mos ndërhyrja e qeverisë ndikon negativisht më eksportet pasi bizneset kanë kontrata, që janë kryesisht në euro. Kontratat e lidhura nga biznesi për të njëjtën vlerë në euro, por te konvertuar në lek vlejnë dukshëm më pak duke ndikuar shumë negativisht në pakësimin e të ardhurave. Ndërsa familjet dhe personat, të cilët jetojnë me remitanca pra me para’, që vijnë nga të afërmit e tyre që jetojnë jashtë vendit, ndikohet shume negativisht sepse vlera e të ardhurave të mbërritura në Shqipëri nuk ka më të njëjtën peshë si më parë kur konvertohet në lekë. Sipas ekspertëve, autoritet rregullatore të vendit kanë detyrimin të reagojnë, po ashtu edhe Banka e Shqipërisë duhet të reagoje sa nuk është shumë vonë sepse pasojat po shkojnë drejt niveleve kritike.

Si qeveria po e “vret” euron
Gjithashtu për ekspertët, përveç hyrjeve nga turistët, remitancat dhe investimeve të huaja, edhe qeveria po luan një rol në forcimin e lekut kundrejt monedhave të huaja. Janë rreth 46 miliardë lekë suficit në buxhet që nuk janë shpenzuar sipas planifikimeve, ndërkohë të ardhurat në buxhet janë rritur duke nënkuptuar më shumë taksa, dhe më pak lekë në qarkullim, ndërsa faktori i tretë është edhe eurobondi i marrë nga tregjet e jashtme. Sipas Klodian Tomorrit, marrja borxh e 600 milionë euro nga qeveria në tregjet ndërkombëtare ka futur në kolaps euron. “Muajin e kaluar qeveria shqiptare mori 600 milionë euro borxh në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa vendi po përballej me ofertë të lartë të euros, siç pranohet nga të gjithë, qeveria vendosi që të sjellë edhe më shumë euro në Shqipëri. Oferta e lartë e euros në tregun vendas, e cila po diktonte zhvlerësimin e shpejtë të monedhës europiane, duhet ta kishte shtyrë qeverinë që një pjesë të borxhit në euro ta merrte në tregun e brendshëm. Përmes emetimit të obligacioneve në valutë, Ministria e Financave mund të kishte ngritur të paktën 200 milionë euro nga tregu i brendshëm, për sa kohë ky i fundit po përballej me një ofertë të madhe të euros. Përmes këtij operacioni, qeveria do të kishte tërhequr një pjesë të sasisë së euros nga tregu, duke lehtësuar ndjeshëm presionet për mbiçmimin e lekut ndaj saj. Por ajo bëri të kundërtën. Solli edhe më shumë euro nga jashtë, edhe pse tregu po ‘vuante’ nga teprica e euros. Ekspertët mendojnë se institucionet duhet të jenë më të kujdesshme në këtë periudhë Institucionet duhet gjithashtu të shtojnë luftën ndaj pastrimit të parave sipas ekspertëve duke ndalur flukset që prishin balancat e tregut.

Shqiptarët po përballen me një situatë të rëndë
Nga ana tjetër, shqiptarët do të duhet të përballojnë një tjetër rritje të çmimit të naftës. Çmimi i naftës ka pësuar një shtrenjtim prej 8-9 lekësh për litër. Më herët çmimi kishte zbritur në 176 lekë. Ndërkohë, me të njëjtën shpejtësi po rritet edhe çmimi i benzinës, që tregtohet me 188 lekë, nga 182 që ishte më parë. Para se kompanitë të kishin nisur këtë rritje abuzive, çmimi kishte zbritur në 179 lekë. Operatorët argumentojnë se çmimi është rritur për shkak të shtrenjtimit të naftës në bursën Platts, ku nafta shitet rreth 900 dollarë për ton. Ky është ndryshimi i dytë i çmimit të naftës që kanë bërë vetë operatorët pas shkrirjes së Bordit të Transparencës, që gjithashtu ishte abuziv. Të dyja këto ndryshime të çmimit kanë qenë në rritje. Në momentin që Bordi u shfuqizua, çmimi i naftës ishte 176 lekë, teksa në maj, para zgjedhjeve çmimi shkoi 169 lekë, shifër rekord që nga vendosja e kësaj strukture. Operatorët argumentojnë se në bursë është rritur çmimi i naftës, por duhet thënë se dollari, me të cilin tregtohet nafta, ka pësuar një rënie të madhe ndaj lekut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë deklarojnë operatorët e tregut

Rriten sërish çmimet e karburanteve

Si po ndikon në ekonominë shqiptare

Leku nis sërish forcimin ndaj Euros!