Asambleja e Partisë Socialiste në Kukës ka miratuar kandiaturën e Albert Halilajt për bashkinë e Kukësit.
Lajmin e ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetet sociale drejtuesi politik për qarkun e Kukësit, Pandeli Majko.
‘Sot, asambleja e Partisë Socialiste miratoi kandidaturën e Albert Halilaj! Shtabi elektoral bëri mbledhjen e parë! Vështirsia është sfidë dhe jo pengesë për familjen tonë! Do ja dalim!’- tha Majko.
Halilaj prej 19 Korrikut të këtij viti mban postin e prefektit në Qarkun Kukës. Më herët ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë.
Nga ana tjetër grupimi i Berishës po përgatitet për procesin e primareve, teksa një ditë më parë miratoi kandidadët për zgjedhjet në Kukës që do të mbahen në 24 shtator. Pesë kandidatët që u zgjodhën janë, Arif Rexhmati, Ardian Elezi, Emrih Vata, Gëzim Shehu dhe Ylber Zeneli.
Më e paqarta deri më tani është PD-ja e Bashës, mirëpo vlen të theksohet se demokratët e Kukësit po shikojnë mundësinë e daljes me një kandidat i cili gëzon mbështetjen e të dy këtyre grupimeve në PD, por deri më tani këto aludime nuk janë konfirmuar.