Futbolli europian sot mban frymën. Duke nisur nga ora 18:00 në Monaco, Francë hidhet shorti i fazës së grupeve të Champions League për edicionin e ri 2023-2024. 32 skuadrat që kanë arritur në këtë fazë do të ndahen si zakonisht në 8 grupe me nga katër ekipe dhe të gjithë do të vihen në ndjekje të Manchester City-t kampiones në fuqi.
Pasi PSV, Antverp dhe Copenhagen siguruan biletat e fundit të mbetura në garë UEFA ka ndarë edhe vazot përkatëse sipas koefiçentëve.
Kështu në vazon e parë janë kampionët e Cityt-t dhe kampionet në kampionatet respektive si Bayern, PSG, Barcelona, Benfica, Napoli, Feynoord dhe Sevilla fituese e Europa League. Në vazon e dytë po ashtu ka emra big si Real Madrid, United, Inter, Atletico Madrid ,Arsenal, Dortmund, Leipzig dhe Porto. Vazo e tretë përbëhet ndër të tjera nga ekipe si Milan, Lazio, PSV e Braga ndërsa në vazon e katërt spikasin skuadra si Newcastle, Celtic apo Galatasaray. Shorti do të krijojë grupet me nga një ekip për secilën vazo me rregullin që ekipet nga i njëjti shtet nuk përballen në këtë fazë. Duke parë përbërjen e vazove nuk përjashtohen edhe grupe apo përballje “ferri”. Ndeshjet e para do të luhen më 19 e 20 shtator ndërsa faza e grupeve do mbyllet më 13 dhjetor. Sot merr jetë Championsi i sezonit të ri.