MENU
klinika

"Ka vjedhje dhe mashtrim me paratë publike!"

“Sterilizimi”- Analisti Lubonja: Skemë e ngjashme me inceneratorët

17.08.2023 - 19:35

Analisti Fatos Lubonja është shprehur se hetimet e SPAK për koncesionin e sterilizimit nuk janë të plota dhe janë të vonuara.

Komentet Lubonja i bëri përmes një interviste në News 24, ku tha se skema e koncesionit të sterilizimit është e ngjashme me atë të inceneratorëve, pasi sipas tij, ka vjedhja dhe mashtrim me paratë publike.

Ndërsa lidhur me ardhjen e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në Shqipëri, ai tha se kjo është një metodë e kryeministrit Rama për mbajtjen e pushtetit.

“Është një skemë e ngjashme me inceneratorët, ka vjedhje dhe mashtrim me paratë publike. Bëhen denoncimet e para dhe del në skenë kryeministri ynë i famshëm e justifikon veprimet duke mbyllur dhe gojën e mediave që denoncojnë. Ky rast ka 3 vite që hetohet dhe rezultati është se edhe në rastet kur duhej një bisturi e vetme shitej e gjithë pakoja e mjeteve kirurgjikale. Me paratë që merrnin në një vit këta, shteti mund të paguante për 10 vite.

3 vite janë shumë për të hetuar dhe përgjegjësit kryesorë janë të mbrojtur. I pari është kryeministri që mban përgjegjësi edhe pse s’ka firmosur. Me gjithë sinjalizimet e medias këta kanë bërë sikur kjo histori nuk ekzistonte dhe vetëm kur bëhet mullar del historia.

Vizita e Melonit është një metodë e Ramës edhe për mbajtjen e pushtetit, duke bërë që të huajt ta vlerësojnë në sy të opinionit publik. Rama këtë punë ka, nuk qeveris për Shqipërinë. Këto milionat e inceneratorëve duhen për të blerë edhe këta të rëndësishmit. Meloni konsiderohet si e djathtë më ekstreme sa i përket disa qëndrimeve të saj.

Rama i ka dhënë Italisë ujërat që vijnë nga jugu i Shqipërisë, sepse Puglia nuk ka ujë. Uji është pasuri kombëtare dhe ne kemi nevojë. As mediat nuk e thonë këtë, është marrëveshje. I duhet edhe mbështetja e Italisë për anëtarësimin. Ne kemi një ambasadë që informon qeverinë e vetë. Gjithë ky korrupsion, ndërtime kullash, etj. Meloni duhet të vijë e informuar dhe jo për t’u përdorur si fasadë për të mbuluar këto probleme.

Takimet që vijnë nga miqësitë e këtij janë degjenerim i politikës. Këto të gjitha bëhen në funksion të fuqisë personale të zotërisë. Do kishte të keqe nëse do siguronte mbështetjen e Italisë në këtë mënyrë se do kishte një mashtrim. Do thonë shqiptarët se u futëm në BE dhe nuk ndodh asgjë. Shqipëria ka nevojë që BE të ndjekë standardet për anëtarësimin.

Këtu duan t’u shpëlajnë trutë opinionit publik për Belerin për të ngjallur ndjenja anti-greke dhe nacionaliste. Këtu nuk është kjo çështja. Rasti i Belerit është rasti kur pushteti i shqetësuar për grabitjet që po bën në jug ka interes që këtë ta nxjerrë jashtë loje dhe ka vepruar në mënyrë arrogante ta eliminojë në këtë mënyrë”, u shpreh ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Të ndërhynte për të penguar reformën në drejtësi"

Befason Fatos Lubonja: Greqia duhej t’i kishte treguar vendin me kohë Shqipërisë