MENU
klinika

Deklarata e fortë e avokatit serb

Stojkoviç: Të sanksionohet regjimi i Vuçiç!

06.08.2023 - 11:28

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç përdor çdo mjet për të krijuar tensione në mënyrë që pajtimi me Kosovën të mos ndodhë. Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress avokati serb, Çedomir Stojkoviç.

Ai përgënjeshtron zërat se Vuçiç ulet në “dy karrige”, duke akuzuar të njëjtin se ulet vetëm në atë të Rusisë, për çka thotë se Perëndimi po e kupton çdo ditë e më shumë një gjë të tillë.

Stojkoviç,i cili drejton një grupim qytetar të Tetorit, në Beograd, beson se e gjithë kjo tendencë e Vuçiçit për të krijuar destabilitet ka për qëllim që të ruajë pushtetin në Beograd.

Në intervistën për KosovaPress, Stojkoviç flet edhe për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi dhe thirrjet e serbëve për të kthyer ushtrinë në Kosovë. Ai shprehet i pakënaqur me mënyrën se si bashkësia ndërkombëtare sillet me Serbinë, ndërkohë që ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Sipas avokatit serb, një regjim i tillë antidemokratik si i Vuçiçit duhet të jetë nën sanksione të Perëndimit.

“Epo në përgjithësi, unë shoh që Aleksandër Vuçiç dëshiron të përdorë çdo burim që ka për të krijuar tensione dhe për të ndalur pajtimin, sepse nëse krijojmë pajtim mes popujve tanë, atëherë politikanët si Aleksandër Vuçiç do të humbasin publikun e tyre dhe askush nuk do të votojë për ta. Pra, ai ka nevojë për tensione për të shpëtuar pushtetin…Ai ulet vetëm në një karrige që nga fillimi dhe kjo është karrigia ruse dhe gjithçka tjetër është vetëm një maskë, është vetëm një gënjeshtër, është thjesht mashtrim. Ai është djaloshi rus, ai është njeriu rus dhe të gjithë e pamë këtë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ajo që duhet të bëjmë në Serbi është t’u tregojmë partnerëve perëndimorë fytyrën e vërtetë të Aleksandër Vuçiçit, tani është e lehtë, Perëndimi po e kupton gjithnjë e më shumë se kush është ai. Pra, kjo është gjithçka që duhet të themi për të”, thotë ai.

Stojkoviç nuk e sheh të afërt ditën kur do të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi, së paku siç thotë ai, jo derisa në Beograd të mos ketë frymë të re politike.

“Jo, mendoj se Vuçiç e diskuton këtë [marrëveshjen me Kosovën] me Perëndimin, por jo në mënyrë të ndershme dhe për të pasur marrëveshjen e vërtetë përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të kemi në Beograd opsione të reja politike, opsionet që do të shohin se është në interesin më të mirë të Serbisë që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare. Pra, kjo nuk është vetëm në interesin tuaj, por është në interesin tim si qytetar i Serbisë. Unë dua të kem fqinjin tim në të njëjtën organizatë ku jam edhe unë, dhe dua që ne të dy të jemi në Bashkimin Evropian si vende të lira sovrane. Askush në Serbi sot nuk e mbron këtë politikë dhe kjo është e vetmja politikë që do të na sjellë zgjidhjen përfundimtare dhe paqen e qëndrueshme, ne duhet ta ndërtojmë atë politikë në Beograd”, thekson avokati.

Duke e konsideruar antiperëndimor dhe antivevropian, Stojkoviç thotë se regjimi i Vuçiçit në Beograd duhet të jetë nën sanksione.

“Jam shumë i pakënaqur sesi Perëndimi sillet me Serbinë. Kështu që mund të them më shumë për këtë, mendoj se ky regjim në Beograd, i cili është regjim antidemokratik, antievropian dhe antiperëndimor duhet të jetë nën sanksione, kështu mendoj. Unë jam qytetar i Serbisë dhe mund të flas për vendin tim. Ajo që mund t’ju them është se nëse BE-ja dhe SHBA-të vendosin sanksione kundër Kosovës, ekstremistët në vendin tim do ta përdorin atë për qëllime të tyre. Dhe kjo është arsyeja pse kjo është diçka e keqe. Nuk e di a meritoni sanksione apo jo, unë me të vërtetë nuk e di. Por, e di që nëse jeni nën sanksione, regjimi prorus në Beograd dhe regjimi antiperëndimor në Beograd, do ta përdorin atë në favor të Rusisë, në favor të politikës nacionaliste, në favor të politikës shoviniste. Pra, kjo është kështu për mua si qytetar i Serbisë, prandaj nuk më pëlqen ideja që të ketë sanksione kundër Kosovës, sepse e di që Aleksandar Vuçiç do ta përdorë atë në mënyrën më të keqe të mundshme”, thotë Stojkoviç.

Stojkoviç thekson se prania e NATO-s në Kosovë është garanci që Vuçiçi të mos krijojë konflikte të armatosura.

“Nuk ka asnjë rrezik derisa trupat e NATO-s janë në Kosovë dhe ne e pamë se në çdo situatë ku ka tensione të krijuara nga Vuçiq në veri të Kosovës, është aeroplanmbajtësja USS Nimitz në Split të Kroacisë, e cila është vetëm 400 km larg Kosovës, ky është mesazhi i qartë se çfarë do të bëjë Amerika, çfarë do të bëjnë amerikanët, çfarë do të bëjë NATO nëse Vuçiç krijon konflikte të armatosura në Kosovë. Pra, mendoj se kjo është shpresa dhe garancia se nuk do të ketë konflikt, dhe gjithashtu e pamë që ishte një situatë e ngjashme në Bosnje që dy bombardues të mëdhenj strategjikë amerikanë fluturuan në Bosnjë për t’i dërguar të njëjtin mesazh regjimit prorus në Banjallukë”, thotë ai.

Sipas Stojkoviçit, të gjitha problemet në Serbi janë të lidhura me ndikimin e Federatës Ruse dhe siç thotë ai, Evropa duhet të bëjë presion të madh mbi qeverinë serbe që të ndërpresë të gjitha lidhjet me Rusinë.

Para disa ditësh mediat serbe raportuan se Vuçiçi ka thënë se në 11 vjetët e fundit ka investuar 8 miliardë euro për serbët në Kosovë, por një gjë të tillë, avokati serb e quan gënjeshtër.

Sipas tij, po të qëndronte një gjë e tillë, në veri të Kosovës do të krijohej një “Dubai i vogël”. Megjithatë, nuk mohon se kriminelët serbë janë ndihmuar financiarisht nga Serbia.

“Mendoj se Vuçiç po gënjen. Tetë miliardë euro në veri të Kosovës, kur? Kjo është gënjeshtër. Nëse ka tetë miliardë euro (investime) në veri të Kosovës, veriu i Kosovës do të dukej si Dubai. Por siç e shihni, është pjesë e varfër e Kosovës, ata janë njerëz që s’kanë para, vetëm kriminelët atje kanë para. Pra, kjo është një gënjeshtër e qartë. Natyrisht, ata kriminelë në veri të Kosovës nuk do të mund të bënin biznes nëse nuk do ishin nën mbështetje financiare nga Beogradi në mënyra të ndryshme, përmes lidhjeve me biznesin publik etj., por tetë miliardë euro është e pamundur”, tha Stojkoviç  /Kosovapress/ 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Situata mund të dalë sërish jashtë kontrollit

“Saga e dështimeve” të BE me Kosovën e Serbinë


Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin