Superliga shqiptare sezonin e ri do jetë plot me risi. Nga 26 gushti, datë kur nis edhe edicioni i ri 2023-24, veç “final 4” dhe fazën play-off për të mësuar skuadrën kampione, do ketë më shumë kohë efetive loje. E përkthyer, më shumë kohë shtesë në fundin e ndeshjeve.
Ka qenë vetë shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci që ka shpjeguar se për çdo sekondë të humbur do ketë një “kronometër” matës, çka do të thotë shtesa “extra-large” në fundin e përballjeve.
“Një pjesë tjetër e seminarit, risi për këtë sezon ka të bëjë me lojën efektive, për të pasur sa më shumë futboll dhe jo pushim. I është dhënë instruksion arbitrave, asistentëve, VAR-it dhe AVAR-it, të numërojnë të gjitha sekondat që kanë qenë pjesë jo efektive e lojës (sekondat e humbura gjatë një goditje të lirë, gjatë një goditje nga këndi, gjatë një rivënie fundore, gjatë një penalltie dhe ajo që është më kryesorja, minutat e humbura pas shënimit të një goli). Të gjitha këto do të numërohen dhe në fund të dy pjesëve të lojës, do të kemi shtesa”, thotë shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF.
Nga 26 gushti nuk do jetë më çudi kur ndeshjet e Superligës shqiptare të futbollit të zgjasin më shumë se 100 minuta, kjo njësoj si në Botërorin e fundit të Katarit. Shqipëria nuk do jetë vendi i vetëm ku do aplikohet loja efektive, ndërsa edhe në kampionatet elitare po shkohet drejt kësaj ideje.